Ekipi i mundjes së Kosovës ka shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Cluj Napoca të Rumanisë, duke u kthyer në atdhe me tri medalje argjendi.
Kanita Spahija dhe Flutura Zeneli u nderuan me medalje të argjendtë në grupmoshën U-20, ndërsa Harun Shipkovica fitoi argjendin në kategorinë U-17.
Të tre garuesit përfaqësuan denjësisht Kosovën, ndërsa Spahija dhe Shipkovica janë gjithashtu bursistë të programit “Shpresa Olimpike 2025”.
Garues të tjerë ishin shumë pranë zonës së medaljeve, por pësuan humbje në ndeshjet për vendin e tretë.
Federata e Mundjes e Kosovës, trajnerët dhe sportistët u përgëzuan për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare.