TV LIVE
ShowBiz
13 October 2025
Jennifer Aniston ngre alarmin për rreziqet e inteligjencës artificiale: Po dëmton njerëzit, duhet vendosur kufij

Aktorja e njohur hollywoodiane Jennifer Aniston ka ngritur alarmin për rrezikun në rritje të keqpërdorimit të teknologjisë, veçanërisht të inteligjencës artificiale (AI) dhe videove “deepfake”, që po shfrytëzojnë imazhin e saj për qëllime mashtruese.

Në një intervistë për “Harper’s Bazaar UK”, aktorja e “Friends” shprehu shqetësimin e thellë për mënyrën se si fytyra dhe zëri i saj po përdoren në mënyrë të rreme për të promovuar produkte që ajo nuk i ka mbështetur kurrë.

Është një tren që ka dalë nga kontrolli. Miqtë më njoftojnë për video të rreme që duken aq reale, saqë më duhet t’ia dërgoj avokatëve të mi.

-tha Aniston, duke shtuar se ndonjëherë është e frikshme të shohësh se sa e lehtë është manipulimi i realitetit me teknologjinë e sotme.

Rreziku, sipas saj, nuk prek vetëm figurat publike, por edhe njerëzit e zakonshëm që bëhen viktima të mashtrimeve online.

Një rast i tillë është ai i britanikut Paul Davis, i cili u mashtrua duke besuar se po komunikonte me Aniston dhe humbi 266 dollarë në kartela dhuratë. Mashtruesi madje kishte krijuar edhe një patentë shoferi të falsifikuar me emrin e aktores.

Fenomeni ka prekur edhe yje të tjerë të Hollivudit. Aktori Brad Pitt është bërë objekt i skemave të ngjashme, pasi një grua franceze humbi mbi 900,000 dollarë duke menduar se kishte një lidhje romantike me të.

Gruaja përfundoi në spital nga stresi emocional, por më pas vendosi ta ndajë historinë për të paralajmëruar të tjerët.

Aniston kërkon ndërhyrje urgjente për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se kufiri midis realitetit dhe mashtrimit po bëhet çdo ditë e më i paqartë.

AI u krijua për të ndihmuar, por tani po dëmton shumë njerëz. Duhet të vendosen kufij të qartë dhe ligje që mbrojnë imazhin dhe privatësinë e individëve-përfundoi aktorja.



Të ndryshme
Më shumë