TV LIVE
Sport
22 September 2025
Shënon gol në limite, Myrto Uzuni i jep tre pikë Austin FC

Sulmuesi i Kombëtares Myrto Uzuni, e çon në tetë numrin e golave për këtë sezon me amerikanët.

SHBA – Austin FC, fitoi 2-1 kundër Seattle Sounders për raundin e 30-të në MLS amerikane të futbollit.

Deçiziv për vendasit ishte Myrto Uzuni, sulmuesi i Kombëtares që ka lënë pas lëndimin dhe ka zhvilluar një ndeshje të plotë, madje duke shënuar në limitet e sfidës.

Vendasit kaluan në epërsi me golin e Rubio në minutën e 42-të, ndërsa me nisjen e fraksionit të dytë ishte i sapofuturi Minoungou që barazoi shifrat.

Megjithëse me disa raste shënimi, goli do vinte vetëm në shtesën e gjashtë të ndeshjes.

Fodney dhe Pereira kombinuan bukur dhe një krosim në zonë gjeti të lirë Myrto Uzunin, me beratasin që nuk e pati të vështirë ta dërgonte sferën në rrjetë dhe t’u jepte tri pikë të tijve.

Tetë gola këtë sezon për Uzunin, i cili në SHBA luan në majën e sulmit.

Seattle me 45 pikë mban vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, ndërsa Austin FC me 44 pikë ndodhet një pozitë më poshtë.



Të ndryshme
Më shumë