TV LIVE
Nga Vendi
17 September 2025
VLEN: BDI po e shet Strugën te Levica, më 19 tetor vjen çlirimi me votën për Qyrën

Koalicioni VLEN ka dalë me akuza të rënda ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim , duke e akuzuar për një marrëveshje të fshehtë me partinë maqedonase Levica, në përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve lokale në Strugë.

Sipas komunikatës së bërë publike nga VLEN, emisari i BDI-së, Krenar Lloga, është takuar me liderin e Levicës, Dimitar Apasiev, dhe sekretaren e tij të përgjithshme, Jovana Mojsovska, e cila tani është futur në garën për Strugën si një kandidate “surprizë”. Qëllimi, sipas VLEN, është që të përçahet vota maqedonase dhe të parandalohet fitorja në raundin e parë e kandidatit të mbështetur nga koalicioni qeverisës, Mendi Qyra.

“Ky është një plan i turpshëm, i orkestruar nga Lloga dhe BDI, që bashkëpunojnë hapur me forca politike që e kanë ngritur karrierën e tyre mbi albanofobi,” – thuhet në deklaratën e VLEN.

Koalicioni në pushtet thekson se ky skenar është një tregues i qartë i mungesës së orientimit politik të BDI-së dhe i gatishmërisë së saj për të bashkëpunuar me parti anti-shqiptare, vetëm për të ruajtur ndikimin politik në Strugë.

“Për ta, pushteti është më i rëndësishëm se dinjiteti i shqiptarëve. Pazaret e errëta me albanofobët vlejnë më shumë se e ardhmja e struganëve,” shton deklarata.

VLEN i bën thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e skemave politike të orkestruara dhe thekson se vullneti i qytetarëve është i qartë dhe i pathyeshëm.

“Pavarësisht marrëveshjeve të fshehta e të turpshme, Mendi Qyra do të ngadhënjejë në Strugë më 19 tetor. Vullneti i qytetarëve nuk blihet, nuk frikësohet dhe nuk ndalet nga marrëveshje të fëlliqura politike.”

Zgjedhjet lokale në Strugë pritet të jenë ndër më të rëndësishmet në vend, me vëmendje të veçantë për faktin se qyteti përfaqëson një simbol të bashkëjetesës dhe balancës etnike, por edhe të betejave politike për kontroll lokal.



Të ndryshme
Më shumë