TV LIVE
Nga Bota
16 September 2025
Trump padit New York Times-in për shpifje, kërkon 15 miliardë dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump ka paditur gazetën The New York Times, katër prej gazetarëve të saj dhe shtëpinë botuese Penguin Random House, duke kërkuar dëmshpërblim prej të paktën 15 miliardë dollarësh për shpifje dhe dëmtim reputacioni.

Padia, e paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Florida, lidhet me disa artikuj të gazetës dhe me një libër të botuar nga Penguin me titull: “Humbësi me fat: Si e shpërdoroi Donald Trump pasurinë e të atit dhe krijoi iluzionin e suksesit”. Në dokument, Trump pretendon se publikimet përmbanin përmbajtje të sajuara dashakeqe dhe shtrembërime, të cilat kanë cenuar rëndë reputacionin e tij personal dhe markën e tij të biznesit.

Avokatët e Trumpit thonë se këto botime kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë negativ në pozicionin e tij financiar dhe në perceptimin publik, veçanërisht përpara zgjedhjeve të 2024-ës.

Trump e bëri publik lajmin për padinë në rrjetin e tij Truth Social, duke akuzuar New York Times-in për “gënjeshtra të qëllimshme” jo vetëm për të, por edhe për familjen dhe lëvizjet politike që ai përfaqëson, si Make America Great Again dhe America First.

Kjo nuk është hera e parë që Trump ndërmerr veprime ligjore ndaj mediave. Më herët këtë vit, ai ka paditur edhe Wall Street Journal dhe rrjetin televiziv CBS, duke i akuzuar për raportime të rreme dhe montazhe mashtruese.



Të ndryshme
Më shumë