TV LIVE
Kuriozitete
15 September 2025
Parlamentarizmi i vitit 1920

Nga Kastriot Kotoni

BISEDIMET E KËSHILLIT KOMBËTAR “SENAT” LEGJISLATUR E PARË- Çilja e parë “KËSHILLIT KOMBTAR” më 27”III”920 ishin anëtarët e këtij parlamenti dhe Këshilli i Naltë.

Në fjalën e parë të këtij parlamenti Shqipëria ishte e mirëpërcaktuar në politikën e saj pro perëndimore, aq kthjellët e me patriotizëm, sa dikush që ka ëndje ta lexojë atë hapje të punimeve e kupton largpamësinë politike të atyre burrave për të ardhmen e kombit shqiptar .

“Të ndershmit Këshilltar të Kombit,

Zotnij!

Në Kongres të Lushnjës qi u-çel më 21 Kallnuer 1920, ishte vendos që Këshilli Kombtar të çelej më 15 të këtij muejit. Jemi shumë fatbardhë qi sot ndodhemi në të parit Parlamentit Kombëtar. Kurrë u çpallë vetqeverimi i Shqipnisë më 28 Nanduer 1912 në Vlonë ishte vendosë mbledhja e nji Senatit, por nuk u mblodh, më 25.X.1918: përsëri në mbledhjen e Durrsit ishte vendos mbledhja e një Senatit të fortë, por edhe ky nuk u mblodh. Prandaj jeta e Parlamentare e Shqipnisë, fillon me Zotninë tuej.

Kombi Shqiptar, këtë rradhë e rrëfeu plotësisht që kishte arrirë në një shkallë përparimi e qytetërimi ma shumë të naltë nga ajo qi kujtojshin ata që nuk e njifshin mirë Shqipninën.

Kongresi i Lushnjës me veprat e tija patriotike e çpalli se, ideali Kombëtar asht bashkimi e jo nji lojë për persona. Qëllimi Kombëtar, asht indipendenca e plotë dhe mprojtja e Atdheut. Me fqinjt t’anë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të plotë me rrojtë në armoni miqsore. Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjt t’anë kanë me i njoft të drejtat t’ona etnike e jetike. Shpresojmë se Italia tue e marrë para syesh vullnetin e përbashkët të Kombit Shqiptar do të ndryshojë politikën që ka pasun deri tash mbi çashtjen Shqiptare dhe do të bëhet edhe ajo anëtarja e indipendencës dhe integritetit të plotë të Shqipnisë, dhe kështu së bashku dhe Ingliterra e Franca që janë rrëfyer gjithmonë mbrojtës për lirinë e popujve të vogël, kanë me qenë mirdashës për çashtjen t’onë Kombëtare. Në këtë çast istorik e shohim si nji detyrë të nderit të kutojmë me falenderime të posaçme ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësore qi po ban i Nalti dhe I Shkëlqyeri Presidenti i Sh.B t’Amerikës Zoti Willson tue përfaqësuar kombin e math t’Amerikës, këjo mirësie nuk ashtë për t’u harrue kurrë nga ana Kombit Shqiptar, jemi fare të sigurtë qi kombi i naltë i Amerikës që ka shpallë parimet e njerëzimit e të Drejtësisës edhe të tanë kërkimet e drejta Kombtare t’ona do të jetë një ndihmës i fortë. Përpara gjith njerëzimit të qytetnuem, Shqipnia paraqitet në kët lutje: Drejtësi kërkojmë dhe e drejta do të na epet.”

Ky parlament i viteve 1920 siç dihet u ndesh me poltikën dhe diplomacinë në mbrojtje të Shkodrës në Veri të Shqipërisë e të Gjirokastrës në Jug, po edhe në polemikë me Italinë për çështjen e Vlorës. Ky parlament me fajlimet e shkëlqyera të Hil Mosit e Sejfi Vllamasit e Qazim Koculit u kërkoi llogari Ministrit të Jashtëm e Kryeministrit të kohës, se si përfaqësohej çështja shqiptare në Konferencën e Paqes. Moment prekës është fjalimi i Senatorit të Vlorës Z. Spiro Koleka, i cili në fjalën e tij hyrëse shprehet tejet i hidhëruar që dy pjesë të Shqipërisë Kosova e Çamërija nuk përfaqësohen në kët Këshillën Kombtare e dëshiron që ky hidhërim të shfaqet prej të gjithëve e të mbahet proces-verbal. Për një lutje të Osman Balit të cilën e kish shkruar në gjuhën turke parlamenti ia përcolli sekretarisë e cila duhet ta përkthente në gjuhën shqipe dhe më pas ta merrte në shqyrtim. Po në sa e sa fjalime u morën masa për gjendjen e rendit publik dhe drejtësisë të mbajtura nga ky parlament. Shtroheshin probleme të tilla, se nuk kishte shkolla e specialistë për xhandamëri apo drejtësia duhej të aplikonte ligje perëndimore, e sa më parë të vinin specialistë nga Amerika edhe Evropa për organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo rendje për ta parë foltoren parlamentit si një organizëm ligjbërës është ku e ku sa vite larg nga termi që përdoret sot “Ligjvënës”. T’i kërkoje llogari Ministrit të Financave nuk ishte kollaj e ky fenomen u zgjidh duke i dhënë status Këshillit Kombëtar e më pas morën rrugë taksat për bagëtinë në veri të vendit e taksa për kripën e gjithashtu taksat për alkolin që vinte nga jashtë. I takoi këtij parlamenti që të kërkonte llogari nëpërmjet fjalimit të Fazlli Frashërit për “Kastoldin”, të ashtuquajturin Komisioner të Lartë i cili bënte një politikë antishqiptare në Shkodër, Durrës e Vlorë, pa marrë mandatin nga parlamenti shqiptar.

Aq i rëndësishëm u bë ky parlament në themelet e shtetit shqiptar, sa autorizoi Qeverinë të negocionte për një borxh financiar me ndërmjetësinë e shqiptarëve të Amerikës. Fakti që ky parlament reagoi me një zë ndaj veprimeve propaganduese të një përfaqësuesi të lartë të xhonturqëve me emrin Vebi, duke thirrur në interpelancë Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm, nëse kishin dijeni ata për arrdhjen e këtij politikani dhe pse nuk e kishin ndaluar qysh kur shkeli këmba e tij në Shqipëri. Në këtë parlament lexohen me emocion të lartë letrat e Z. Turtulli dhe Imzot Bumçi, të cilët kishin përfaqësuar çështjen shqiptare në parlamentin anglez me fakte e argumenta të vërteta e me dokumenta të pakontestueshme përkundrejt të gjitha shpifjeve të armiqve të çështjes shqiptare. Shkruhet në origjinal emri i AHMED BEJ ZOGU, por është fjalimi i tij shumë sinjifikativ. Zogu ndër të tjera merr fjalën, kur thotë se qeverija kurdoherë është e popullit edhe do të punojë mbas dëshirës së tij, sepse qeverija sot nuk ka një Xhandamari të organizuar e të gjithë shpresën e vetë e ka në popull. Krijimi i ministrive të Tregëtisë dhe të Bujqësisë është një nga diskutimet më me vlerë të këtij parlamenti.

Palët ndahen mes dy opinioneve për organizimin e ministrive të bujqësisë dhe asaj të tregëtisë. Z. Arqemandriti e quan të parakohshme krijimin e këtyre ministrive, sepse nuk kemi buxhet dhe na duhen njerëz të shkolluar. Po ashtu edhe Ramiz Daci nuk e shikon të arsyeshme ngritjen e këtyre ministrive. Por Kol Thaçi përfaqësuesin e Shkodrës e Sejfi Vllamasin të cilët janë të mendimit për krijimin e këtyre ministrive si baza ekonomike e Shqipërisë. Është detyrë parësore e duke marrë si model zhvillimin e bujqësisë në Greqi e cila siç del nga diskutimet ishte organizuar nga specialistët e huaj me përvojë perëndimore. Këtij parlamenti i ra barra për tu marrë me refugjatët shqiptarë dhe popullsinë e krahinës së Dibrës të shpërngulur në Shqipërinë e Mesme. Problemi i një shkolle shqiptare janë nga diskutimet më të vyera të Hil Mosit. Padyshim do të gjente një hapësirë kohore në këtë parlament me halle shumë edhe diskutimi për një vëmendje më të madhe për familjet e njërëzve të shquar të këtij kombi.

Ja si shprehen ata në rastin e dhënies së pensionit për familjen e Ismail Qemalit. Z. Beqir Rusi thotë se - Populli shqiptar nuk duhet të harrojë mirësitë që i kanë bërë Z. Ismail Qemali, bej Vlora, kombit i cili ka qenë i vetmi që u hodh ndër rreziqe për të realizuar qëllimin kombëtar me ngritjen e flamurit dhe shpalli Shqipërinë e Pavarur. Duke i pas vlejtur kombit ky njeri kaq shumë sot është turp për këtë komb që fëmija i tija të mbetet rrugëve pa asnjë lloj ndihme. Qeverija thotë që i kemi caktue një pension prej 200 Lt në muaj e kjo ndihmë nuk shkoj shumë kohë edhe ju dhanë 2500 Lt. Me hidhërim të madh ju them se njëri nga djemtë e tij Z. Mahmud Bej ka vdekur në Itali dhe fëmijët e tij kanë mbetur rrugëve e si mundet të durohet kjo? Ai pyet për fëmijët e dëshmorit Themistokli Gërmenjit, çfarë masash janë marrë nga ana e qeverisë për ushqimin e tyre, si këta thotë ka edhe shumë të tjerë që i duhet siguruar një jetesë normale. Z. Irfan Bej Ohri shprehet se qeverija duhet të krijojë një arkë pensioni për të mirën e fëmijëve të atyre nënpunësve dhe oficerëve dhe ushtarëve të cilët janë vrarë ndër luftra për shpëtimin e atdheut .

Interes të veçantë tregon parlamenti kur kryetari Xhemal Naipi hap bisedimet për çështjen e Avni Rustemit nëse duhet të dërgohet një letër lutjeje faljeje nga ana e parlamentit shqiptar në drejtim të parlamentit të Francës. Në përfundim të diskutimit u pa e udhës kjo detyrë ti caktohej qeverisë.



Të ndryshme
Më shumë