TV LIVE
Nga Vendi
13 September 2025
“One Stop” edhe në kufirin e RMV me Shqipërinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës që realizoi në Ohër dhe Strugë, theksoi se tashmë po punohet konkretisht për vendosjen e pikës së përbashkët kufitare me Shqipërinë në Qafë Thanë. Ai bëri të ditur se kjo masë synon lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve, veçanërisht në muajt e ngarkuar turistikë.

“Bashkë me kolegët nga Shqipëria jemi duke punuar për modelin ‘One Stop’. Përmes këtij sistemi dhe disa ndërhyrjeve infrastrukturore, do të krijohet një mekanizëm i qëndrueshëm për të shmangur pritjet e gjata dhe për të përshpejtuar fluksin në kufi”, deklaroi Toshkovski.

Ky nuk është projekti i vetëm i këtij lloji. Më 28 maj, ai kishte paralajmëruar hapjen e pikave të përbashkëta edhe në kalimet me Serbinë dhe Shqipërinë, ndërsa më 4 korrik tashmë hyri në funksion pika Tabanoc–Preshevë, në kufirin verior me Serbinë.

Në muajin prill u realizua edhe një tjetër hap i ngjashëm: Kosova dhe Maqedonia e Veriut përuruan kalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit–Bllacë. Në ceremoni morën pjesë kryeministrat Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski. Ky i fundit vlerësoi se pika kufitare, që dikur shihej si pengesë, tashmë do të shndërrohet në një urë bashkëpunimi dhe lehtësimi të ndërsjellë.



Të ndryshme
Më shumë