TV LIVE
Nga Bota
13 September 2025
SHBA, autoritetet shpalosin emrin Tyler Robinson si të dyshuarin për vrasjen e Charlie Kirkut

Guvernatori i shtetit Utah, Spencer Cox, shpalosi sot emrin Tyler Robinson si të dyshuarin e arrestuar për vrasjen së komentatorit konservator amerikan Charlie Kirk, transmeton Anadolu.

“E kemi kapur”, tha Cox para gazetarëve në një konferencë për shtyp pas më shumë se 24 orësh kërkimesh.

“Më 11 shtator në mbrëmje, një anëtar i familjes së Tyler Robinsonit kontaktoi një mik të familjes, i cili njoftoi Zyrën e Sherifit të Qarkut Washington me informacion se Robinson i kishte rrëfyer atij, ose i kishte lënë të kuptohej, se ishte ai që kishte kryer incidentin”, shtoi Cox.

Cox tha se autoritetet aktualisht besojnë se Robinson, banor në Utah, ka vepruar i vetëm. Ai shtoi se një anëtar i familjes, pa e identifikuar, u ka thënë hetuesve se Robinson ishte bërë “më politik vitet e fundit”.

“Anëtari i familjes përmendi një rast së fundmi kur Robinson kishte ardhur për darkë para 10 shtatorit, dhe gjatë bisedës me një tjetër anëtar familjeje, Robinson ka përmendur se Charlie Kirk do të vinte në Universitetin Utah Valley. Ata kanë folur pse nuk e pëlqenin atë dhe pikëpamjet që ai kishte. Anëtari i familjes gjithashtu ka thënë se Kirk ishte plot urrejtje dhe përhapte urrejtje”, deklaroi Cox.

Presidenti amerikan Donald Trump më herët tha se ishte babai i të dyshuarit ai që ka luajtur rol vendimtar në arrestimin e Robinsonit.

Cox shtoi se hetuesit kanë analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë në Universitetin Utah Valley (UVU), ku ndodhi sulmi të mërkurën, dhe kanë siguruar pamje që duket se tregojnë Robinsonin duke mbërritur në kampus më herët gjatë ditës.

Pamjet e tregojnë Robinsonin me një bluzë me ngjyrë të kuqe të errët, pantallona të shkurtra të çelëta, një kapelë të zezë dhe këpucë të çelëta. Veshja përputhej me atë që Robinson ka pasur kur është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes



Të ndryshme
Më shumë