TV LIVE
Nga Vendi
6 September 2025
Vetëm 2 nga 5 hapa të realizuar: Maqedonia e Veriut rrezikon fondet evropiane

Komisioni Evropian ka publikuar tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor , ku Maqedonia tregon përparim modest, ndërsa Shqipëria dhe Serbia janë në ngecje të plotë. Sipas tabelës zyrtare të Mekanizmit të reformës dhe rritjes, Maqedonia ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, ose 40% të detyrimeve të parashikuara. Për këtë, ajo mori rreth 8.5 milionë euro. Megjithatë, kur bëhet fjalë për objektivat që duhen arritur deri në fund të vitit 2025 – pamja është dukshëm më e keqe: asnjë nga 19 reformat e planifikuara nuk është zbatuar, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut arriti vetëm dy nga pesë hapat e planifikuar deri në dhjetor të vitit të kaluar, ose në përqindje – përmbushi vetëm 40 përqind të detyrimeve të saj, për të cilat mori rreth 8.5 milionë euro në “shpërblim”.

Kjo do të thotë që Maqedonia rrezikon të humbasë 134 milionë euro nga fondet e BE-së, dhe nëse nuk përmbushen detyrime shtesë, vihet në pikëpyetje një total prej 205 milionë eurosh mbështetje evropiane.

Në muajt e ardhshëm, vendi do të duhet të zbatojë deri në 48 reforma – të reja dhe të prapambetura – disa prej të cilave janë shmangur prej vitesh. Këto përfshijnë: riorganizimin e sistemit hekurudhor, rritjen e numrit të inspektorëve të punës, plotësimin e institucioneve të tilla si Agjencia e Konfiskimit të Pasurive, reformimin e sektorit të energjisë, modernizimin e ndërtesave qeveritare, sigurinë kibernetike, përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe masat kundër korrupsionit.

 

Përveç kësaj, Maqedonia duhet të digjitalizojë shkollat, të zvogëlojë punësimin informal, të përmirësojë prokurimin publik dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe të prezantojë kontrollin e shpenzimeve përmes auditimeve të rregullta të brendshme.

Maqedonia gjithashtu duhet të zhvillojë një strategji për pronësinë shtetërore dhe një regjistër, të zvogëlojë punësimin informal me 20 përqind, të sigurojë akses në internet për deri në 44 përqind të shkollave, të zhvillojë një plan për të parandaluar korrupsionin, një Kod të ri Penal me një përkufizim të qartë të abuzimit me detyrën, me kufizime dhe sanksione, të pajisë Prokurorinë me staf ekspert për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, të kërkojë që deri në 80 përqind e institucioneve shtetërore dhe 75 përqind e institucioneve lokale të dorëzojnë raporte të auditimit të brendshëm mbi shpenzimet dhe të ardhurat, të zgjedhë menaxherët për ndërmarrjet publike me tre kandidatë dhe deri në 40 përqind e tenderëve publikë të jenë përmes ankandeve.

Por, pavarësisht rezultateve zhgënjyese, Maqedonia nuk është më e keqja në rajon. Sipas raportit, si Shqipëria ashtu edhe Serbia nuk kanë zbatuar asnjë nga hapat e planifikuar – me performancë zeropër qind dhe pa asnjë shpërndarje të fondeve evropiane. I vetmi vend me një ritëm relativisht të kënaqshëm është Mali i Zi, i cili ka një normë përfundimi prej 50%.

 

Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.



Të ndryshme
Më shumë