Deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, ka ngritur alarmin për moszbatimin e gjuhës shqipe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai, nga foltorja e Kuvendit, duke cituar rregulloren e parlamentit, se “deputeti, i cili flet një gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, materialet i pranon në kohë, përkatësisht i dorëzon edhe në gjuhën dhe alfabetin e tij që të shërbejë në seancë të Kuvendit ose në mbledhje të trupave punues”, është ankuar se deputetët shqiptarë i pranojnë dokumentet vetëm në gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, kryeparlamentari Afrim Gashi, zotohet se materialet që dorëzohen deri tek deputetët përkthehen edhe në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.
“Kemi pranuar një dokument, një raport nga komisioni i politikës sociale, demografisë dhe të rinjve, vetëm në gjuhën maqedonase. Dhe, natyrisht nuk është hera e parë,” tha deputeti Aziri.
Ndaj fjalës së deputetit ka reaguar i pari i kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi:
“Materialet që dorëzohen deri tek deputetët përkthehen edhe në gjuhën shqipe, në moment, materialin e keni edhe në gjuhën shqipe në e-parlament. Problemi është se ende nuk është shtypur në hard kopy dhe nuk është dorëzuar, materlialet janë edhe në gjuhën shqipe dhe vazhdimisht kanë qenë”.
Ndërkohë, deputeti Aziri, për Portalb.mk, ka folur më gjerësisht për çështjen e ngritur në foltore. Ai tha se nuk është hera e parë që materialet i marrin vetëm në gjuhën maqedonase. Aziri sqaroi më tej edhe motivet e reagimit të tij për këtë çështje.
“Prej formimit të kësaj qeverie është parë një tendencë shumë e qartë, e refuzimit të përdorimit të gjuhës shqipe, respektivisht, e refuzimit të respektimit të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve në të gjitha institucionet. Megjithatë, ne jemi deputetë të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe aty e ngrejmë zërin tonë. Çështja e përdorimit të gjuhëve është rregulluar edhe me rregulloren e Kuvendit dhe unë, jo vetëm herën e fundit, por prej disa muajsh e shfrytëzoj të drejtën time si deputet, me anë të proceduraleve, për të tërhequr vërejtjen për moszbatimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Raportet dhe dokumentet e tjera që vijnë nga komisionet dhe instancat e Parlamentit tek deputetët, vijnë vetëm në gjuhën maqedonase,” tha Aziri për Portalb.mk.
I pyetur se cila është përgjigja e kryeparlamentarit për dokumentet në gjuhën maqedonase, Aziri tha se nga ana e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, arsyetimet janë se nuk kanë pasur kohë që të përkthehen, janë çështje lëshimesh teknike.
“Herë kemi përgjigje se të gjitha dokumentet janë në portalet e Kuvendit. Nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri, sa i takon këtij problemi.”
Që nga fillimi i këtij mandati, theksoi më tej Aziri, deputetët e Frontit Evropian i kanë bërë vërejtjet e tyre edhe në komisionet e tjera për moszbatimin e gjuhës shqipe.
“Megjithatë, sikurse çdo gjë në këtë përbërje qeveritare, vërehet tendenca për uzurpimin e të drejtave për vendimmarrje në të gjitha instancat. I kemi parë edhe reagimet e shumë përfaqësuesve qeveritarë, edhe ministrave, që u janë drejtuar si popullit shqiptar ashtu edhe eksponentëve në bashkëqeverisje me një neglizhencë dhe me një përbuzje, sa i përket të drejtave tona kolektive. Në shumë institucione, edhe tabelat treguese që kanë qenë në dy gjuhë, tani janë vetëm në gjuhën maqedonase. Këtë reagim e shoh në kuadër të një përpjekje për të alarmuar se gjithçka që është arritur në Maqedoninë e Veriut në kuptimin e kohezionit ndëretnik, tentohet të rrënohet,” përfundoi Aziri.
Kujtojmë se, Portalb.mk. në vazhdimësi ka denoncuar mungesën e zbatimit të gjuhës shqipe edhe nga ana e Qeverisë së RMV-së.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.