TV LIVE
Nga Vendi
5 September 2025
BDI akuzon Çairin për 100 mijë euro materiale propaganduese që askush nuk i ka parë!

Komuna e Çairit ka shpërdoruar afër 100 mijë euro nga paratë e qytetarëve, duke i derdhur në kontratë fiktive për materiale të ashtuquajtura “propaganduese” siç janë: notesa 500 copë, eko-notesa 1000 copë, defterë 1000, stilolapsa antibakterial 5000 copë, çadra të llojeve të ndryshme, bluza, kapele, broshura, flet-falënderime,  të gjitha këto me sasi prej 100.000 deri 200.000 copë. Kështu ka akuzuar dje Bujar Sopas nga BDI, ndërsa ka shtuar se, përveç çmimeve të fryra katër-pesë fish më shtrenjtë sesa kushtojnë realisht, këto materiale nuk ekzistojnë askund – askush nuk i ka parë.

“Bëhet fjalë për marrëveshje të fabrikuara vetëm për të nxjerrë para nga buxheti i Komunës, për t’i kaluar më pas në xhepa privatë. Këto nuk janë materiale propaganduese, por janë mekanizma të pastër korrupsioni. Marrëveshja kushton rrafsh 5.854.806 denarë, ose rreth 100.000 euro.  Ndërkohë që banorët e Çairit përballen me probleme të përditshme, kërkojnë ndihma sociale e trokasin në derën e komunës për një vend pune apo për mjete për shëndet, drejtuesit e komunës shpenzojnë qindra mijëra euro për artikuj që nuk ekzistojnë”, ka akuzuar Sopas.

Ky, sipas tij,  është një poshtërim për banorët e Çairit. “Ju kërkojnë votën me 400 euro punësim, ndërsa pasurohen pa kufi me qindra mijëra euro nga tenderë fiktivë. Ky është abuzim i pashembullt.  Kërkesa është e qartë: transparencë të menjëhershme mbi këto kontrata, publikimin e të gjitha faturave dhe raportet e pranimit të materialeve. Po ashtu, përgjegjësi nga të gjithë ata që e shndërruan buxhetin e Komunës së Çairit në bankomat privat.  Komuna nuk është pronë private. Paratë i takojnë qytetarëve. Dhe ne nuk do të lejojmë më të vidhen në këtë mënyrë”.

Në emër të BDi-së, Sopas ka thënë se “i bëjmë me dije dyshes së korrupsionit, Izet Mexhitit dhe Visar Ganiut se që më 20 tetor në mëngjes, do të hetohet marrëveshje dhe çdo denarë i vjedhur nga paratë e qytetarëve. Përgjegjësi do të ketë dhe kjo ditë po vjen shpejtë!”.



Të ndryshme
Më shumë