TV LIVE
Nga Vendi
2 September 2025
BDI: VLEN premtoi Europën, solli “Botën Serbe”

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon koalicionin VLEN se ka mashtruar qytetarët me premtime të rreme dhe se ka dështuar të realizojë ndryshimet kushtetuese që i premtonte.

“Fillimisht premtuan se ndryshimet kushtetuese do të bëheshin para formimit të Qeverisë, pastaj brenda 100 ditëve, tre muajve, e më pas gjashtë muajve. Sot, pas një viti, shqiptarët dëgjojnë vetëm justifikime nga Izet Mexhiti dhe shokët e tij se ‘koha nuk ka mjaftuar’”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sipas kësaj partie, në vend të integrimit evropian, VLEN ka hapur derën për ndikime nga Beogradi dhe Moska, duke minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe duke zbehur pozitën e shqiptarëve në vend.

BDI thotë se pushteti aktual është bërë sinonim i skandaleve të përditshme dhe mashtrimeve elektorale:

  • Në vend të 2500 vendeve të reja të punës, qytetarët morën zhgënjim.

  • Në vend të mbështetjes financiare për të rinjtë, qytetarët morën zero.

  • Në vend të projekteve kombëtare, sollën Ivan Stoilkovikun si zëvendëskryeministër.

  • Në vend të ndryshimeve kushtetuese dhe rrugës drejt BE-së, sollën partnerë që promovojnë “Botën Serbe”.

“VLEN është dëshmuar si mashtrim politik dhe turp kombëtar që po e izolon vendin dhe po i përjashton shqiptarët nga proceset vendimmarrëse”, thekson BDI, duke shtuar se tetori do të jetë momenti kur qytetarët do të thonë “mjaft” mashtrimeve.

Kjo parti apelon se qytetarët meritojnë përfaqësim dinjitoz dhe vizion të qartë evropian, jo premtime boshe dhe arsyetime qesharake.



Të ndryshme
Më shumë