HALIL RAMA *MJESHTËR I MADH/ Libri “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës”, që u promovua para disa ditësh në sallën “Balsha” të “Tirana Interntional”, nga personalitete akademike dhe të letrave u vlerësua si një enciklopedi shumëvlerëshe, që për nga stilistika dhe forma kompozicionale është krejt i veçantë.
Sepse autori Tajar Domi ka trashëguar asetin fondamental të familjes së tij në tri breza dhe e ka treguar atë më së miri, gjer në detaje për të 115 personalitetet e kësaj dinastie. Në të vërtetë, kur më besoi redaktimin e këtij libri nuk ngurova, si në ndonjë rast tjetër. Kjo për faktin se para dy vitesh, kur Tajari më dha të shkruar historinë e gjyshit të tij, Harunit, ndër të tjera mësova që, i integruar në shoqëritë patriotike të Bukureshtit, kur u kthye para një shekulli në vendlindje, ai nuk solli që andej ndonjë shumë të konsiderueshme parash, por solli abetaret për t’u mësuar fëmijëve të bashkëfshatarëve të tij shkrim e këndim shqip. I frymëzuar nga kjo histori e shkruar nga Tajari, që pas dy vitesh do të ishte lënda e letrarizuar bukur e këndshëm e këtij libri, unë atëherë ndër të tjera, shkrova dhe botova në të përditshmen më të madhe shqiptare “Panorama” se: “Atdhetarë të shquar si Harun Domi, mbetën pishtarë të dritës në altarin e lirisë së kombit. Kjo për faktin se ai solli në një krahinë si Luma emërndritur Abetaret e Veqilharxhit, të cilat u përhapën dorë më dorë dhe u bënë pishtarë drite për shqiptarët dhe halë në sy për pushtuesit”. Tajar Domi ka meritën që si pasues i denjë i Harun, Shefqet e Xhemal Domit, me këtë libër të shkruar me kompetencë e profesionalizëm të spikatur prej shkrimtari, e ka ngritur në piedestalin që meriton emrin e familjes së tij.
Në portretet letrare të pothuajse 115 personave me arsim të lartë dhe me tituj shkencorë, akademik e diplomatik, në historitë e rrëfyera me një gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante, qoftë të veprimtarisë patriotike të gjysh Harunit…,të hallës Lulije që fati i rezervoi një fëmijëri të lumtur në familjen e hallës Meleqe në Prizren, por që pas mbylljes së kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës përjetoi dhimbjen e mallit të pashuar për babain, nënën, vëllezërit, motrat e të afërmit tjerë në Ceren.. si edhe në esetë e refleksionet që mbyllin kapitullin e fundit të librit, një lexues i vëmendshëm nuk do ta kishte të vështirë të dallonte forcën metaforike dhe formimin kulturor të autorit, duke krijuar kështu muzeun e fjalës për këtë familje të madhe, emërndritur në historinë tonë kombëtare.
KALAJA E DODËS
Në dokumentarin e përgatitur nga Defrim Methasani shfaqet Kalaja e Dodës, një vend i bekuar nga Zoti dhe njerëzit e saj që kanë gjurmët e tyre përmes historisë, traditave, punës së ndershme dhe vlerave njerëzore. Aty nën këmbët e malit më të lartë në vend, Korabit; mes lumit të Veleshicës, bjeshkëve të Gramës dhe Sorokolit, në krah me Kalisin, Vilën dhe Bushtricën, por edhe me Kallën e Vleshën e Sllovës, shtrihen fshatrat e Kalsë së Dodës, ku në qendër ndodhet Cereni, fshati i besimit të fesë myslimane, por edhe i njerëzve të punës e dijes.
Emërtimi i Kalasë së Dodës si qendër krahinarie, na jepet i dokumentuar edhe në vitin 1864 nga konsulli austriak – albanologu J.G. Hahhn, në librin e tij “Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit”. Në faqen 221 të këtij libri, shkruhet se: “Patëm rastin të kalojmë vetë pranë vendeve ku gjenden gjurmët e qyteteve të hershme, ku dikur kanë ekzistuar kisha të krishtera dhe banesat pranë të cilave ne patëm rastin të kalojmë, dëshmojnë, pothuajse të gjitha, që banorët e tyre gëzojnë një mirëqenie, e cila e kalonte parashikimin që mund të bëhej, duke pasur parasysh tokat e tyre bujqësore”. (- M. Skeja “Kalaja e Dodës, një zambak i Korabit”, 2022, fq. 165 ).
Prof. Dr. Hajri Shehu bën këtë cilësim të shkurtër: “Dheu i Kalasë së Dodës ka kufij natyrorë e historikë Veleshicën e Ujin e Lapave. Është një dhe me kroje e kopshte. Me ara e me livadhe. Me kullota e me bjeshkë. Me ujë e ujëvara. Me nëntokë të pasur. Me shtëpi të pastra e sofra bujare. Me një të folme melodioze e me një folklor magjepsës …”. Ndërsa autori i këtij libri, Tajar Domi, vlerëson se, “Banorët e Kalasë së Dodës kanë personalitet dhe karakter të fortë, që i vëmë re sidomos në rezistencën ndaj trysnive të pushtetit, kur ata bashkohen me fuqinë e këtij karakteri dhe që i nxjerr gjithmonë fitues”. Më tej ai shkruan se, “Cereni kishte besë dhe bashkim. Në vitet e diktaturës komuniste, ashpërsia e ligjeve të kohës ndjehej më butësisht në Ceren. Aty, punonjës shteti, anëtar partie e të persekutuar nga ai sistem, i shihje bashkë në biseda, në punë e në konaqe.
Asnjë kufizim nuk kishte, bie fjala, për Sabriun e Sheh Mahmutit, djali i të cilit (Xhelali) ishte arratisur nga vendi e për pasojë Sabriu u internua familjarisht dhe iu hoq karta e frontit. Atë e shikoje kudo të shkonte për vizita, për kafe edhe te një nëpunës apo anëtar partie i Cerenit. Dhe, duke respektuar moshën e zgjuarsinë e tij, shpesh kryesonte vargun e gjatë të njerëzve ku kishte edhe komunistë. Kjo ndodhte veçmas në Ceren, jo në fshatrat e tjerë të zonës…”. Në zemër të tij familja Domi, shembulli i duhur që vlen, jo vetëm për trevën, por edhe për gjithë vendin. Dokumentari flet për faktin se për më shumë se një shekull, protagonistët e dijes kanë emrat e burrave e grave, djemve e vajzave ët Familjes së Madhe Domi.
“DY JETË SI MJEK”
Dr. Shefqeti la shumë gjurmë në spitalin e Peshkopisë dhe në Tiranë, ku do që ai punoi me përkushtim e profesionalizëm si mjek, si një shembull i qartë i betimit të Hipoktarit në shërbim të njerëzve. Jo rastësisht laboratori i spitalit të Dibrës mban emrin e tij, në respekt të punës shkencore, botimeve po të tilla dhe shërbimit profesional e njerëzor në Tropojë, Dibër e Tiranë. Në këtë libër evidentohet vlerësimi i njërit prej kolegëve e bashkëkohësve të tij, prof. dr. Nazmi Koçi, sipas të cilit: “Dr. Shefqeti jetoi një jetë si njeri, por punoi dy jetë si mjek”. Para largimit nga kjo jetë, ai la një arkivë të madhe të punimeve të tij shkencore, por edhe dy botime të rëndësishme për vendlindjen, të cilën e dashuronte shumë “Cereni – Histori e Tradita” (2012) dhe “Kalaja e Dodës apo Qafa e Bilbilit” (2024). Një tjetër personalitet i kësaj familjeje është Xhemali, një mësues që arriti të ngjiste majat e tij edhe si drejtues, edhe si botues. Nga libri i Tajarit si dhe nga dokumentari televiziv mësojmë se historia e arsimit në Kala të Dodës dhe zonat përreth mban firmën e tij. Kjo, falë punës shumëvjeçare si ish-mësues, por edhe drejtor në shkollën e Radomirës, ndërsa ka privilegjin e hapjes të së parës shkolle të mesme në Ceren të Kalasë së Dodës. Në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë, ai botoi në tri vëllime veprën “Dibra në hulli të historisë”, botime këto shkencore dhe profesionale, të arsimit dhe mendimit pedagogjik në trevat e Dibrës, duke shpalosur një punë kolosale profesionale dhe arkivore në vite me radhë.
TË BURGOSURIT POLITIKË
“Në vitin 1967 kur nga shteti i kohës punohej dhe u realizua ngritja e kooperativave bujqësore në të gjithë vendin, një grup shtetëror drejtuesish që ishin ngarkuar për Kalanë e Dodës në “ndërgjegjësimin” e banorëve, një ditë ishin takuar me Musën (djalin e katërt të Harunit) për ta bindur që familja e tij e madhe të futej në kooperativë. Por ata kishin hasur në kundërshtimin e tij, i cili u kishte argumentuar vështirësitë e mëdha që do të kishte familja në zbatim të këtij ligji edhe në Ceren. Pas kësaj kundërshtie, grupi i punës takohet me Harunin, babain e Musës, dhe në bisedë me të i thonë: “Musain e kishe të sertë, jo si djemtë e tjerë”. Ndërsa Haruni u përgjigjet: “Një shtëpie të madhe, i duhet një djalë si Musa”, – shkruan autori i këtij libri. Dhe pikërisht kjo rezistencë për të mos pranuar kolektivizimin do të ishte shkaku i burgosjes së Musës dhe vëllait tjetër Ahmetit, të cilët u dënuan pas një gjyqi popullor politik. “Në vjeshtën e vitit 1968, me datën 3 nëntor, Besimi do të martohej me Zemrite Abedin Litën nga fshati Matranxh i Bushtricës. Megjithëse ngjarjet dhe kushtet në familjen e Harunit atë vit ishin shumë të mbrapshta, pasi dy djemtë e tij (Musa e Ahmeti) ishin dënuar me burgim për kundërshtim të pushtetit popullor, ndërsa Haruni kishte vdekur me 28 shtator të atij viti, vetëm një muaj para dasmës, prapë se prapë “dasma” u bë dhe nusja u muar”. Tajari e rrëfen në librin e tij atë ditë, kur për arsye të burgosjes së Musës e Ahmetit, kjo dasmë nuk pati asgjë të afërt me të tjerat. E megjithatë, gjithçka vazhdoi bukur në vitet në vazhdim në këtë familje. “Në vitin 1968, një vit pasi u krijuan kooperativat bujqësore, Ahmeti ishte bashkëvuajtës me Musën për gjashtë muaj në burg, me vendimin e padrejtë të gjyqit shembullor të Sllovës kundër familjes tonë, për të cilin u kërkua falje më vonë!”, – shkruan autori i këtij libri.
PROMOVIMI I IDENTITETIT
Po kaq emër me vlerë si dy djemtë e rilindasit Harun Domi që solli Abetaren e parë nga Bukureshti në këtë zonë, dr. Shefqeti e mësues Xhemali që i përkasin brezit të dytë, shpalosin edhe brezi tjetër i intelektualëve të kësaj familjeje të madhe. Njëri prej tyre që kaloi edhe kufijtë e Shqipërisë është Tajari, i cili jeton në Filadelfia. Pikërisht në ditën e promovimit të librit të tij “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës”, ai vlerësohet nga Këshilli Bashkiak me titullin më të lartë “Qytetar Nderi” i Dibrës, me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë. Ai ka përfaqësuar me dinjitet komunitetin dibran në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes’ në Filadelfia, duke qenë një urë lidhëse mes brezave dhe një model frymëzimi për komunitetin shqiptar”.
Titulli iu dorëzua në mënyrë ceremoniale nga nënkryetari i Bashkisë Dibër, Lorenc Cibaku, ndërsa ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë, y. Skënder Durmishi. Krahas tij, në librin dhe dokumentarin përkatës evidentohen dhe flitet edhe për profesionistë e personalitete tjera. E ndër, ta Nuri Shefqet Domi, fizikan dhe diplomat në Katar, që mban titullin doktor i shkencave. Ai mbahet mend kur gjatë kohës studentore u përzgjodh që në Televizionin Publik Shqiptar të drejtonte emisionin shkencor për fëmijë “Dritare diturie”, ku pati një audiencë shumë të gjerë. Në harkun kohor të 10 viteve ka botuar artikuj e studime të shumta dhe të vlerësuar edhe në vendet e zhvilluara. Midis tyre, përmendet libri voluminoz enciklopedik “Mendjendriturit e njerëzimit”(2014); “Arti i diplomacisë” (përkthim i vitit 2023) dhe libri “Historia nëpërmjet aktorëve të saj”, që pritet të dalë nga botimi së shpejti. Ky trung familjar është i veçantë, pasi në të shohim të pleksen të gjitha gjeneratat, pjesëtar të arsimuar deri në nivelet më të larta. Nga 115 të shkolluar me arsim të lartë të kësaj familje ka një shpërndarje të tillë interesante, që duket se kanë “pushtuar” botën; konkretisht në Shqipëri 36 persona, në Kosovë 30, në SHBA 17, në Angli14, në Belgjikë 7, në Spanjë 4, Gjermani 3, Itali 2, Katar 1 dhe Kroaci 1. Midis tyre ka me tituj e grada shkencore, akademike e diplomatike. Në librin e Tajar Domit, si dhe dokumentarin përkatës, mbresëlënës qenë interpretimi mjeshtëror nga diva e skenës dhe ekranit Margarita Xhepa – “Nderi i Kombit”, i poezisë së shkruar po nga ky autor “Për Cerenin”, nga e cila veçojmë vargjet e strofës së fundit: “Ky është fshati ynë i lindjes/ ku vllallëku kurrë s’u prish/ Ku “kulaku”e “Partia”/ Ishin bashkë në çdo mexhlis”. Mbi 200 pjesëmarrësit në këtë event duartrokitën ngrohtësisht gjithashtu përshëndetjen e ishministrit e deputetit Petro Koçi, që ka shërbyer disa vite si mësues në Kala të Dodës, fjalën e ish-kryebashkiakut të Peshkopisë dhe ish-ministër i Punës e Çështjeve Sociale Kadri Rrapi, përshëndetjen e ish-kreut të Këshillit të Qarkut Kukës Avdulla Domi; recensat mjaft profesionale të akademik Fatos Dacit, dr. Fejzulla Gjabrit e dr. Petrit Gjorgjit, si dhe rrëfimet në dokumentar të Ajaz Vishës – bashkëkohës i atdhetarit Harun Domi dhe djalit të tij Besim Domi.
Emocione të forta ngjalli regjisori, aktori dhe shkrimtari mjaft produktiv e cilësor në hapësirën mbarëshqiptare në botë, Xhevat Limani, me interpretimin e poezisë “Gjuha jonë”. Po ashtu, edhe përshëndetja me “Skype” nga Filadelfia e personalitetit kuksian Enver Parllaku, e gjirokastritit Arqlile Hila – bashkëstudent i autorit të këtij libri, e në veçanti përshëndetja e shkrimtarit Hys Hasa në emër të shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia. Impresionues për pjesëmarrësit në këtë event qe njoftimi i moderatotit Methasani, se të ardhurat nga shitja e librit “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” do të shkonin si donacion për shkollën “Ibrahim Gjorgji” të Radomirës.
/Gazeta Panorama