BDI ka reaguar ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar për sabotim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe për sjellje që, sipas tyre, kanë çuar në izolimin ndërkombëtar të vendit.
“Shënimi i 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nga kjo qeveri nxori edhe një herë në pah një ironi të hidhur: personi që historikisht ka mohuar Marrëveshjen e Ohrit, Ivan Stoilkoviç, sot ka kompetencë ligjore mbi zbatimin e saj. Rezultatet janë të dukshme: çdo ditë kjo marrëveshje sulmohet dhe përpjekjet për ta zbatuar sabotohet nga brenda institucioneve. Në vend që kjo ditë historike të shënohej si triumf i paqes dhe i barazisë, u shndërrua në skenë politike të OBRM-PDUKM-së dhe aleatëve të saj, ku Marrëveshja u përmend si çështje e mbyllur, vetëm për të relativizuar vlerën e saj”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, mungesa e përfaqësuesve ndërkombëtarë në këtë përvjetor, për herë të parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes, është tregues i “izolimit të plotë” të qeverisë aktuale. Ata theksojnë se “dimri i vetmisë së madhe” për qeverinë është realitet, jo metaforë.
BDI kritikoi edhe koncertin e organizuar nga VLEN me tenorin Rame Lahaj, duke thënë se, ndryshe nga vitet e kaluara, aktiviteti u mbajt në një sallë të vogël, pa praninë e ambasadorëve, krerëve shtetërorë shqiptarë dhe personaliteteve diplomatike. “Nga një përvjetor që dikur bashkonte miqtë më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut, kemi rënë në një festë private, ku i vetmi mik i mbetur besnik është Stoilkoviçi”, përfundon reagimi i BDI-së.(INA)