Kjo Prokurori ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj E. B. për shkak të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 10.08.2025 rreth orës 20:30min në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E. B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H. Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patentë dhe e godet H. Sh. ”– njofton Prokuroria mes tjerash.
Pas goditjes me thikë, viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku edhe ka vdekur.
Me keto veprime, E.B sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të datës 11.08.2025 ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e një personi, më 10.08.2025, në fshatin Zhur të Prizrenit.
Sipas Policisë, viktima fillimisht ishte dërguar në emergjencën e Spitalit në Prizren, për shkak të lëndimeve që kishte marrë nga therja me thikë.