TV LIVE
Nga Vendi
22 July 2025
Janveska: Programi mësimor për klasën e shtatë është ndryshuar, lënda e Historisë po rikthehet

Kurrikula për klasën e shtatë të arsimit fillor është ndryshuar dhe lënda e Historisë është rikthyer, tha sonte nga Velesi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

“Kurrikula e re ka rikthyer lëndën e Historisë, e cila ishte hequr nga qeveria e mëparshme. Libri shkollor është në proces të shtypjes”, tha ajo.

Ajo gjithashtu përsëriti se pas një ndërprerjeje gjashtëvjeçare, nxënësit do të kenë përsëri tekste shkollore në gjuhë të huaja – anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur disa ditë më parë, ajo tregoi kopjet e para të teksteve shkollore në anglisht për klasat nga e para deri në të nëntën dhe tekstet shkollore në gjermanisht, duke shtuar se një vendim do të merret deri të premten për frëngjishten, italishten dhe të gjitha gjuhët e tjera.

Ministrja informoi gjithashtu se kurrikula për vitin e parë të arsimit të mesëm është ndryshuar.

Ajo njoftoi gjithashtu se janë hapur gjashtë lektorate të reja në të gjithë botën ku studiohet dhe popullarizohet gjuha dhe letërsia maqedonase.

Sipas saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për herë të parë, po legalizon klasat e dyfishta në arsimin e mesëm që kanë mësim praktik.

Kujtojmë se në fillim të vitit 2021, aktuale ishte tema për konceptin e ri të arsimit fillor, me të cilin parashiheshin disa ndryshime për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Koncepti i ri ngjalli reagime në opinion, të cilat në fillim kishin të bëjnë me shkrirjen e disa lëndëve në një lëndë të integruar. Ministrja e atëhershme Carovska tha se frika nga integrimi i lëndëve, në një moment të caktuar, ishte keqpërdorë për qëllime politike, por që më pas ishte zvogëluar. Ajo në disa raste përsëriti se arsimi duhet të pësojë ndryshime, gjë që e sugjerojnë edhe testimet vendore edhe ato ndërkombëtare, si dhe prindërit e mësimdhënësit të cilët i kanë propozuar këto ndryshime konceptuale.



Të ndryshme
Më shumë