Kur pati përfunduar së shkruari “Njëqind Vjet Vetmi”, Gabriel García Márquez nuk kishte të holla të mjaftueshme as për t’ia dërguar romanin e porsashkruar botuesit me postë. Kur patën vajtur bashkë me Mercedes Barcha, gruan e tij, në zyrën postare, për ta dërguar romanin e tij në Buenos Aires, punonjësi i postës e peshon, dhe u thotë: “Kushton 82 pesos dërgesa!”
“Kemi vetëm 53 pesos”, i përgjigjen bashkëshortët, duke i rrëmuar xhepat. Të dy pastaj vendosin ta ndajnë dërgesën, e ta dërgojnë me pjesë. Ndërkohë nuk vërejnë se gabimisht kanë dërguar pjesën e dytë të romanit, jo të parën.
Francisco Porrúa, redaktor i botimeve Sudamericana, do të mahnitej pasi e pati lexuar, duke i dërguar García Márquez të hollat për të nisur edhe pjesën e parë të romanit. Një vit më vonë do të botohej “Njëqind Vjet Vetmi”, teksa tirazhi i parë do të shitej brenda një muaji. Aktualisht janë më tepër se 100 ribotime të këtij romani, dhe 60 milionë kopje të shitura.