Dy persona raportohet se janë të zhdukur në Katalonjë, pasi rreshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje të gjera në rajonin verilindor të Spanjës këtë fundjavë. Reshjet e rrëmbyeshme gjithashtu ndërprenë shërbimet hekurudhore për disa orë.
Dy dëshmitarë okularë u thanë autoriteteve lokale se i panë të dy duke ecur mbi një urë dhe duke rënë në lumin Foix në Cubelles, afërsisht 50 kilometra larg Barcelonës. Brigada e zjarrfikësve beson se ata u rrëmbyen nga lumi dhe po kërkojnë për ta pranë brigjeve dhe grykëderdhjes së lumit.
Kërkimi i vazhdueshëm po kryhet nga ekipe dronësh, helikopterësh dhe njësi nënujore. Policia rajonale katalanase dhe ekipet e Shpëtimit Detar gjithashtu iu bashkuan përpjekjeve të kërkimit.
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut prekën kryesisht pjesën jugore të zonës metropolitane të Barcelonës dhe përmbytjet e menjëhershme rezultuan në derdhjen e lumenjve në zona të shumta.
Ndërkohë, në Vilafranca del Penedes, një nga zonat më të prekura, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytjen e plotë të katit përdhes të spitalit rajonal, duke ndikuar në furnizimin me energji elektrike të spitalit dhe duke rezultuar në mbylljen e repartit të urgjencës./CNA