Ky muaj (21 Korrik, 2025) shënon 100-vjetorin e lindjes së Dr Martin Camaj, shkrimtarit e poetit të njohur shqiptar, ish-Kryeredaktorit të Revistës së njohur Shejzat, krahu i djathtë dhe bashkpuntori i ngushtë i botuesit të asaj reviste, Profesor Ernest Koliqit, ç’prej ditëve të para të botimit dhe deri në ditët e fundit të Shejzave. “Është kot të tjerrim lëvdata për Martin Camaj”, do të shkruante miku dhe kolegu i tij i afërt, Karl Gurakuqi, “se bota intelektuale shqiptare e njeh mirëfilli atë nga botimet që na ka dhanë dhe nga artikujt-studime që ka shkrue për Revistën e mikut të vet, “Shejzat”, ka theksuar ai. Gurakuqi shënon se Martin Camaj, pothuaj, në çdo numër të Shëjzave, përveç rolit të Kryeredaktorit, ka shkruar, pa përtesë, me qëllimin për t’i shërbyer gjuhësisë e letërsisë shqipe dhe me detyrimin personal që ka ndjerë për t’i shërbyer edhe shtypit shqiptar në mërgim, të asaj kohe.
Martin Camaj, jeta dhe veprimtaria e tij letrare, gjuhësore dhe në fushën e albanologjisë në pëgjithsi ishte e lidhur ngusht me revistën Shejzat, me pronarin Ernest Koliqin dhe me kolegjumin redaksional të revistës, gjatë viteve. Ai konsiderohej prej tyre si një pjesëtar i familjes së ngusht, por jo vetëm. Në një shkrim nga redaksia e Shëjzave botuar në dhjetor të vitit, 1965, me rastin e mbrojtjes së doktoraturës (Dhjetor,1964), në Dhjetor, 1964 nga Martin Camaj, shprehet gëzimi i tyre me një shkrim kolegjial, “Për fitoren e madhe në fushën kulturore, nji fitore jo vetëm e së përkohshmes (tonë Shëjzave) por edhe mbarë gjindes shqiptare”. Fjala ishte, pra, për mbrojtjen me sukses dhe marrjen e doktoraturës së Kryeredaktorit të Shëjzave Dr Martin Camaj – një “darsëm intelektuale” e kanë quajtur bashkpuntorët e tij redaksional të Shëjzave – Doktoraturën për doçencën në albanologji, në Universitetin e njohur gjerman të Munchenit. Redaksia e Shëjzave e konsideronte doktoraturën e Martin Camajt, jo vetëm si një sukses të madh dhe arritje përsonale të tij, por edhe si një, “Ngjarje që merr nji theksim të randsishëm sepse studjuesi i ri shqiptâr, tue hÿm në radhën e docentave të njânit prej Universiteteve mâ të çmueme të botës, sidomos, për sa i përket balkanologjisë, do të mundohet me përtrî traditat e mëdhaja gjermane në sferën albanologjike dhe në shkencë, së cilës i vûni themelet në qindvjetin e kaluem, Georg v. Hahn që me të drejtë quhet Ati i Albanologjisë”, thuhet, ndër të tjjera, në artikullin e redaksisë së Shëjzave, kushtuar doktoraturës së poetit e shkrimtarit, Martin Camaj, akorduar atij nga Universiteti i Munchenit në dhjetor të vitit 1964.
Doktorata e Profesor Dr martin Camajt në albanologji dhe emërimi tij si docent i albanologjisë në Universitetin e Munchenit, shënoi atëbotë një rëndësi të veçant gjithashtu se pse deri atëherë, për arsye të ndryshme, mungonte një qëndër kushtuar, veçanërisht, studimeve shqiptare në Gjermani. Kjo megjithse profesorët e njohur e të nderuar gjermanë, si Prof. Franz Babinger, Prof. Georg Stadtmuller dhe i paharrueshmi Prof. Lambertz kishin vazhduar me veprat e tyre, në përpjekje historike për të ndriçuar, sa më tepër e më mirë, që ishte e mundur, historinë e shqiptarëve ndër shekuj. Por me vdekjen e Prof Lambertz, albanologjia në Gjermani nuk kishte më katedrën e vet – deri me ardhjen e Profesor Dr. Martin Camaj në katedrën e albanogjisë në Universitetin e Munchenit.
close
volume_off
Po kush është Dr Martin Camaj sipas atyre që e njihnin më së miri – dhe që vlerësonin si askush tjetër, personin dhe veprimtarinë e tij – bashkpuntorë, kolegë e miq të tij të idealit -- e që ishte Kolegjumi i revistës Shëjzat, Kryeredaktor i të cilës ishte Dr Camaj. Sipas tyre, Martin Camaj lindi me 21 korrik 1925 nga një familje e njohur të Dushmanit (Dukagjin) e ku qyshë në vitet e para shkollore u dallua për mendje të mprehtë e dëshirë të zjarrët për të zgjëruar njohuritë e veta në degë të ndryshme të letërsisë, diturisë e shkencës. Si shumë të rinjë të tjerë shqiptarë të kohës së tij, djali malësor kreu me sukses të dalluar studimet e mesme në gjimnazin klasik t’Etërvet Jezuitë në Shkodër, ku qe shumë i çmuar për mësime në klasikun e Jezuitëve, ku i kanë venë themelet e kulturës së tyne, ndër të tjerë, edhe Luigj Gurakuqi e Faik Konica.
Për fat të keq, ngjarjet e rrepta të mbasluftës e shtrënguan të riun Martin Camaj, si edhe shumë të tjerë të rij studjuesë të dalluar shqiptarë, të largoheshin nga Atdhéu, duke marrë rrugët e vështira të mërgimit. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë t’Universitetit të Beogradit, duke e marrë diplomën mbas katër vjetësh me nji punim të kryer nën udhëheqjen e linguistit të famshëm Henrik Bariç. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi, Camaj “mori pjesë me dalldi rinore në lindjen e
mrekullueshme të letërsisë shqipe në Kosovë në atë kohë, me vepra që kanë zënë vendin e tyre të merituar në zhvillimin e saj, bashkë me ato të shkrimtarve më të dalluar të Kosovës, të cilët Martin Camajn e konsideronin si një prej tyne”, thuhet në vlersimin e veprave të tija nga kolegjumi i revistës Shëjzat, duke shtuar se, dy përmbledhje vjershash “Nji fyell ndër male” (1951) dhe “Kânga e vërrinit” (1954), si edhe “Diella”, botuar në Romë me 1958, “i përkasin -- për frymën që i dallon dhe shqetësimin shpirtnuer bashk me një dishirë të ndezët palingjeneze vetiake e shoqërore -- rrethit letrar të Kosovës e radhiten në numër të produkteve letrare tipike të tij”.
Nga Jugoslavia Martin Camaj vajti në Itali me qellim që të specializohej në Universitet të Romës, në degën albanologjike. Mbas pak kohe u emërua Lektor vullnetâr pranë Institutit të Studimeve shqiptare të Fakultetit të Letravet e të Filozofisë. Ndoq rregullisht në Romë, për disâ vjet me radhë, mësimet e Fakuletit të Letravet e të Filozofisë dhe u kurorëzua me titullin akademik duke mbrojtur përpara Komisjonit tezën me titull: “Il Messale di Gjon Buzuku(Contributi linguistici allo studio della genesi)”. Ndërkaq, në Romë, Martin Camaj iu bashkua revistës “Shëjzat”, ndërsa do të kontribonte për botimin e saj, jo vetëm si Kryeredaktor por edhe me shkrime të shumëta, me subjekte të ndryshme botuar në shtyllat e asaj së përkohëshmeje. Camaj botoi me 1964 një tubë poemthash, krejt origjinalë, nën titullin “Legjenda”, ku sipas Kolegjumit të Shëjzave pasqyrohej, “Arti i tij që jep dëshmi të qartë pjekurie. Një dëshir i avullueshëm m’u lëshue n’andrrime prallzore përsjellë gjithëkund me nji ndiesi t’idhët se jeta nuk zhvillohet në hulli të trilleve të fantazisë, është karakteristika kryesore e legjendave. Për Martin Camajn, bota e vjetër mythologjike e maleve tona sherben si pikënisje për fluturime lirike me trajtën e frymën më moderne. Motive gojdhânore të lashta lulzojnë në këtë poezi të ré, ku ngashërimet e rrëmbimet, klithime të nji mjerimi të mbytur e tinguj magjikë të nji muzike së nënzëshme, që përshkon palcin e vargjeve, shkrihen lumnisht, të metamorfozuar nëpërmjet të një shijeje në përkim me atë të poezisë së sotshëme botërore ku lëndë e trajtë, thjesht shqiptare, paraqiten në nji dritë të papritur letërsie të guximshëme bashkëkohore”, thuhet mëtej në homazhin e veçantë (1965) që redaksia e revistës “Shëjzat” ka bërë për veprën e Camajt si letrar, me ratin e doktoraturës së tij në Universitetin e Munchenit.
Por Martin Camaj megjithë arrijtet e tija në fushën letrare, gjuhësore dhe dhe albanologjike, nuk mbetet i kënaqur për sukseset e deriatëhershme por vendos të thellojë dituritë në gjuhë të huaja dhe studimesh të rajonit të Evropës jug-lindore duke iu bashkangjitur një qendre të njohur studimesh në Evropë, siç ishte Universitetit i Munchenit në Gjermani. Natyrisht se për një qëlim të tillë, nevojitej njohja e mirë e gjermanishtes, por Camaj, brenda një kohe të shkurtër, dhe me një
“përpjekje kryeneçe ku shkelqen natyra e fortë e brumit të maleve shqiptare, u vu në gjendje të përballonte, me atë gjuhë, çdo provim”. Punoi për pesë vjet pa i falë vetes asnji çast frymëmarrje pushuese, nën drejtimin e indo-germanistit të shquar si prof. Wilhelm Wissmann.
Shjëzat shënojnë se Martin Camaj mbrojti doktoraturën në Albanologji në Universitetin e Munchenit me 9 dhjetor 1964 para një Kolegjiumit ku merrnin pjesë të gjithë titullarët e Fakultetit të Filozofisë të München-it nën kryesin e dekanit Prof. dr. Hans Müller e ku dijetarët më të spikatur për lëndën e provimit ishin, përveç prof. Wissmann-it, edhe profesorët Alois Schmaus (balkanolog), Georg Stadtmüller (historian i Shqipërisë dhe specialist i historisë së evropës jug-lindore e të tjerë mjeshtra të përmendur.
Dr Martin Camaj,si docent i Albanologjisë në Universitetin e Munchenit ka vazhduar punën e tij si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në bashkpunim me kolegë shqiptar e të huaj të studimeve balkanologjike deri në ditët e fundit të jetës së tij kur ndërroi jetë me 1992.
“Ish- Kryeredaktorit të Shêjzavet, mikut e shokut e kolegut, na, redaktorët e bashkëpuntorët e së përkohëshmes”, i ishin drejtuar me atë rast, “urimet tona vëllaznore për një karrierë të ndritëshme universitare në dobi e në lavdi të vet e të Shqipnisë dhe lusim Zotin t’a kemi pranë nesh shumë vjet në fushën e veprimtarisë kulturore”.
Jeta, vepra dhe tarshëgimia e këtij njeriu të madh të letrave shqipe mbetet ndër breza megjithse regjimi komunist u përpoq ta zhdukte atë dhe shumë të tjerë si ai nga historia dhe albanologjia shqiptare – ndërkohë që ka edhe sot të tillë që duan të anashkalojnë figurën e tij dhe në frymën e apologjetëve aktualë të komunzimit të Enver Hoxhës, vazhdojnë të baltosin kontributin e Dr Martin Camaj, duke hedhur lloj-lloj epitetesh kundër këtij… F.rank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf – malësori bujar dhe evropiani erudit -- Martin Camaj: Malësori bujar dhe evropiani erudit | Gazeta Telegraf
Është e vështirë të pasqyrohet kontributi i plotë dhe veprimtaria shumë-dimensionale e Dr Martin Camaj, përfshir punën si kryeredaktor i revistës “Shejzat. Por po e mbyll këtë përkujtim modest në 100-vjetorin e lindjes me thirrjen e tij të fundit drejtuar shqiptarëve, vetëm disa ditë para shkuarjes së tij në amshim, mars 1992 – vërtetë një mesazh dhe testament shpirtëror plot mall, merak e dashuri për vendlindjen e tij dhe për shqiptarët. Shqipëria e mbante larg Martin Camaj për pothuja një gjsëm shekulli, Por Martin Camaj nuk ishte kurrë larg Shqipërisë dhe shqiptarëve:
“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”
Frank Shkreli