Paralajmërimi për vendosjen e Liqenit të Ohrit në Listës e trashëgimisë në rrezik të UNESCO-s ka ashpërsuar tonet mes partive kryesore.
Pas deklaratës së ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, se vendimi i UNESCO-s është pasojë e drejtpërdrejtë e viteve të neglizhencës, papërgjegjësisë dhe kolapsit institucional (2017 – 2024), ish ministrja e Kulturës, deputetja Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka fajësuar direkt atë duke e quajtur – përpjekje të dëshpëruar për të justifikuar paaftësinë e tij. Ish ministrja ka shkuar më larg duke paralajmëruar se statusi është në rrezik. “Ohri kërcënohet me heqje nga lista e UNESCO-s, për shkak të qeverisë së VMRO-DPMNE-së”, ka thënë ndër të tjera ish ministrja.
Ajo ka numëruar disa propozim-ligje të cilat janë tërhequr nga procedurat parlamentare. Pas paralajmërimeve që erdhën nga Konferenca e UNESCO-s në Paris (6-16 korrik), Qeveria në seancën e fundit ka angazhuar të gjithë anëtarët e institucioneve që aktualisht marrin pjesë në Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të paraqesin së bashku një amendament me qëllim tërheqjen e Projektvendimit të Komitetit që propozon që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e thesareve natyrore dhe kulturore botërore në rrezik. “Raporti aktual i referohet pikërisht kësaj periudhe të qeverisjes nga LSDM dhe BDI. Dhe në ato shtatë vjet, jo vetëm që nuk u mor pothuajse asgjë nga rekomandimet e UNESCO-s, por në vend të mbrojtjes, pamë injorimin e raporteve të ekspertëve dhe shkatërrimin sistemik. Çdo ditë si Qeveri përballemi me vendime historike, jo vetëm për të ndaluar shkatërrimin, por edhe për të shpëtuar dhe restauruar gjithçka që të tjerët e kanë lënë pas dore”, ka thënë ministri Lutkov.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në draft-dokumentin e miratuar në kuadër të Sesionit të 47-të të këtij viti të mbajtur në Paris, kërkon që rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore Botërore në Rrezik. Pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur, draft-vendimi tregon se degradimi i atributeve që e zhvendosën rajonin e Ohrit si një trashëgimi të mbrojtur të UNESCO-s vazhdon dhe kërkon përmbushjen e vërejtjeve të Misionit të Monitorimit Reaktiv nga viti i kaluar.
Vetë versioni draft i vendimit vëren edhe një herë dobësitë në qëndrimin e shtetit, institucioneve dhe autoriteteve në nivel kombëtar dhe lokal ndaj Liqenit të Ohrit dhe qytetit të Ohrit si një trashëgimi natyrore ose kulturore e shpallur thesar botëror dhe reagimin joadekuat të shtetit dhe institucioneve ndaj vërejtjeve të bëra nga Organizata Botërore, me një propozim specifik që rajoni të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Rrezik.
Dokumenti, ndër të tjera, u bën thirrje Maqedonisë dhe Shqipërisë të punojnë për forcimin e dialogut ndërkufitar, si në një nivel të lartë institucional ashtu edhe në atë operacional, për të siguruar qeverisje efektive dhe të qëndrueshme të rajonit. /Koha/