TV LIVE
Kuriozitete
10 July 2025
Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë

Kalaja e Gjirokastrës priti një numër të madh vizitorësh, ashtu siç ndodh shpesh këto ditë të sezonit turistik. “DRTK Gjirokastër” publikoi pamjet plot jetë, histori dhe zëra nga e gjithë bota, që enden mureve të gurta.

Vizitorë vendas dhe nga bota që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

Pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve gjetkë. Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.



Të ndryshme
Më shumë