TV LIVE
Kuriozitete
10 July 2025
Kur Faik Konica i kërkonte falje Ismail Qemalit!

EVARIST BEQIRI

“Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër né ata mbyten dy herë: edhe harrohen! Nji komb qi lindet ká nevojë për fatosa qi desin. Por fatosat qi desin nuk kan çë bâjn në nji komb qi i harron e i përbuzë.”

Në vijim të reflektimit mbi dy prej mendjeve më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, po sjellim sot një tjetër shkrim të Faik Konicës për Ismail Qemalin. Në vitin 1909, në faqet e revistës Albania, Faik Konica, pena më therëse e kohës, i kushtoi Ismail Qemal Vlorës një nderim të rrallë. Konica e çel versionin frëngjisht me fjalët: “Patrioti ynë i shquar Ismail Qemal Beu, shefi i opozitës liberale, ka dhënë prova të një guximi të mrekullueshëm në luftën, e rrezikshme, por plotë me lavdi kundër Kamorës (Camorra) xhonturke.”

Ismail Qemali u bë zëri që i dha Shqipërisë peshë morale në sytë e Europës. Në një kryeartikull, ”Daily Telegraph”, një nga gazetat më me ndikim të kohës në Angli, e cilësoi zërin e Ismail Qemalit si të barabartë me “njëqind zëra”. Ky nuk ishte vetëm një lavdërim personal, por një njohje publike e dinjitetit shqiptar nëpërmjet një individi që nuk kishte frikë të përballej me padrejtësinë. Fillimisht, britanikët kishin pranuar qëndrimin e ashpër të Xhonturqve ndaj Qamil Pashës; por sapo kuptuan se Ismail Qemali ishte në anën e të drejtës, qëndrimi i tyre ndryshoi. Shtypi europian e quante Ismail Qemal Vlorën “Shqiptari zemër-luan”, “trimi dhe i larti burrë shqiptar” (“that plucky Albanian gentleman”, “that fine stout-hearted Albanian gentleman”, “the lion-hearted Albanian”, etc.). Daily Telegraph thoshte se Ismail beu i vetëm vlen sa një ushtri. Le Temps De Paris e konsideronte si “burrin e shtetit më të jashtëzakonshëm të Turqisë”.

Në thelb të këtij nderimi, qëndronte jo vetëm guximi personal i Ismail Qemalit, por ndikimi që ai kishte në perceptimin ndërkombëtar për shqiptarët. Në një Europë që i njihte shqiptarët si të prapambetur, si barinj e rebelë, vjen një zë ndryshe. Ai flet me mendje të kthjellët, me moral të palëkundur, me dinjitet. Dhe bota dëgjon. Konica shkruan: “Gazetat e bote se tere po me tepër ajo e Englis, patne rase t’a levdojne Smail be’ Vloron… Shkurt, Smail Beu deftoj aqe kurajo moral, sa e nderoj emerin shqipetar ne bote, dhe duhet te i a dime per te mire, me gjithe qe disa nga mendimet e tija nuk na pelqejne.”

Konica, në frëngjisht i kërkon falje Ismail Qemalit, në mënyrë eksplicite, ndërsa në shqip e lë të nënkuptuar. Ai duke i bërë jehonë të sinqertë pasqyrimit të lajmeve të shtypi ndërkombëtar të kohës, e mbyll shkrimin me këto fjalë: “Dhe megjithëse kemi folur kundër tij këtu shumë më rrallë dhe me shumë më tepër moderim sesa gazetat e tjera shqiptare, na vjen keq për atë që kemi thënë për të, e anulojmë dhe kërkojmë ndjesë. Ismail Beu ka meritë për shqiptarët.”

Ismail Qemali nuk fitoi thjesht dhe vetëm simpatinë e shtypit ndërkombëtar apo nderimin e Faik Konicës. Ai fitoi një përmasë morale që u bë bazë për legjitimitetin ndërkombëtar të Shqipërisë që do të lindte tre vite më vonë. Sot, në një kohë kur fjalët janë të lira dhe qëndrimet të luhatshme, historia e njeriut që “i nderoi emrin Shqipërisë” me kurajën e tij frymëzon sërish.

Marrëdhënia e Konicës me Ismail Qemalin ishte një përzierje kontradiktash, herë me vrer dhe sarkazëm therëse, herë me nderime të thella e lavdërime të jashtëzakonshme. Megjithatë, historia nuk shkruhet sipas humorit të ditës, por me vepra, me pasoja konkrete dhe me kontribute që mbeten në kujtesën shpirtërore të kombit. Pa dyshim, Shqipërisë do t’i duhen gjithmonë mendjet kritike. Por kritika duhet të jetë reale, e drejtë dhe e sinqertë. Jo e shtyrë nga mëria personale, as nga kalkulimet afatshkurtra. Ashtu siç lavdërimi nuk duhet të jetë adhurim, por njohje e meritës.



Të ndryshme
Më shumë