Në dy qytetet turke, Rize dhe Trabzon, ka ndodhur një fenomen i rrallë natyror që ka habitur jo vetëm banorët vendas, por edhe turistët që ndodheshin aty.
Në fillim të muajit korrik, pra në mes të verës, reshjet e dëborës kanë mbuluar zonat e larta malore të këtyre qyteteve, duke krijuar një pamje të pazakontë dhe të mahnitshme natyrore.
Sipas parashikimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Meteorologjisë, reshjet e dëborës kanë qenë të pritura për zonat e larta në Rize dhe Trabzon, ku temperaturat ranë ndjeshëm duke i dhënë natyrës një pamje tipike dimërore, e cila është shumë e rrallë për këtë periudhë të vitit, shkruajnë mediat.
Banorët e fshatrave dhe luginave malore si Çamlihemşin, Hemşin dhe İkizdere, si dhe në vendbanime të tjera të larta malore, u zgjuan me një peizazh të mbuluar nga dëbora e bardhë dhe e freskët. Ky pamje e veçantë e krijuar nga dëbora në mes të verës ishte një surprizë që tërhoqi shumë vëmendje.
Autoritetet lokale dhe meteorologët kanë paralajmëruar qytetarët për mundësinë e vazhdimit të ndryshimeve të papritura të temperaturave në rajon, duke i këshilluar ata të jenë të përgatitur për mot të ftohtë dhe reshje të mëtejshme, pavarësisht se jemi në stinën e verës.