TV LIVE
Kuriozitete
1 July 2025
Si e ka infektuar Adolf Hitleri mënyrën tonë të të menduarit

Epoka e Hitlerit nuk ishte vetëm ajo e viteve ’30 dhe ’40 të shekullit XX: ka qenë vetë jeta jonë. Filloi në vitet ’40, arriti kulmin në vitet ’60 dhe duket se vetëm tani është drejt përfundimit.

Në periudhën pas luftës, Adolf Hitleri ka qenë figura jonë më e fuqishme dhe më unifikuese. Ai mbetet pika jonë e krahasimit dhe kufiri ynë. Në një botë ku duket se nuk arrijmë të biem dakord për asgjë, ende mund të bashkohemi, thuajse të gjithë, në dënimin e tij. Kushdo që e mbron Hitlerin, automatikisht shfaqet si përbindësh. Sa herë duam të dënojmë dikë, e krahasojmë me të – thuajse në mënyrë instinktive. E keqja e tij e padiskutueshme e bën atë të jetë një pikë fikse dhe e pazëvendësueshme në peizazhin tonë moral.

Për shembull, sapo Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, filluan të shfaqeshin memet që paraqisnin Putinin si Hitler – edhe pse vetë Putini pohonte me forcë (dhe në mënyrë absurde) se qëllimi i luftës së tij ishte të “denazifikonte” Ukrainën. Hillary Clinton është një nga shumë njerëzit që e ka quajtur Donald Trumpin një Hitler të ri, dhe e ka krahasuar mitingun e tij të vitit 2024, në Sheshin Medison në Nju-Jork, me tubimin famëkeq pro-nazist që u mbajt në vitin 1939. Boris Johnson e ka krahasuar BE-në me Hitlerin; ndërkohë, gjatë kulmit të përçarjeve për Brexit-in, vetë ai shpeshherë paraqitej me mustaqe të stilit të Hitlerit. Edhe sot duket se ende i përcaktojmë vlerat tona në lidhje me nazistët. Nuk arrijmë dot ta shkundim këtë magjepsje.

E mbaj mend kur për herë të parë dëgjova emrin Hitler, në fund të viteve ’70 të shekullit XX. Mendoj se isha rreth gjashtë vjeç. E pyeta nënën time disi kështu: “Kush është njeriu më i keq në botë?” E kë tjetër mund të zgjidhte ajo? Po ju, kë do të zgjidhnit? Kujtimi im tjetër – edhe pse mund të ketë qenë disa muaj më vonë – është pyeta që ia bëra: “A ka ndonjë njeri që ka shkruar ndonjë libër për Hitlerin?” Më kujtohet se në atë moment ndjeva një farë turpi. Instinkti më thoshte se ishte e gabuar të shkruaje një libër për një njeri të keq; ndoshta ishte e gabuar edhe të doje të dije më shumë për të. Por, nëna më befasoi kur bëri me gisht kah rafti i librave dhe te një libër voluminoz me atë emër të tmerrshëm në kopertinë, me shkronja të mëdha: kopja e babait tim e biografisë së Alan Bullockut: Hitler: Një studim mbi tiraninë (1952). “Po”, më tha ajo, “ka plot.”

Vërtet ka – dhe gjithnjë e më shumë për çdo vit: jo vetëm sepse Hitleri ishte një figurë me ndikim të jashtëzakonshëm, por edhe sepse nuk jam i vetmi që është mahnitur me të keqen e tij. Nuk mund të ndalojmë së treguari dhe rishpikuri historinë e tij – dhe atë historinë tjetër, po aq të pasur, të luftës kundër tij. Pastaj janë filmat dhe dokumentarët gjithnjë e më të thellë që vazhdojnë të realizohen; po të gjykosh nga programi i History Channel dhe listat e shumë botuesve, Lufta e Dytë Botërore është thuajse ngjarja e vetme në historinë njerëzore. Dhe, historianët detyrohen të ndajnë Hitlerin me tregimtarët dhe krijuesit e miteve – me cilindo që dëshiron t’i shtojë pijes së vet një dozë të lirë morali. Sauroni, Dalekët, Darth Vaderi, Lord Voldemorti – të gjithë janë, pa dyshim dhe pa turp, akte homazhi ndaj nazizmit.

Epoka e Hitlerit është epoka në të cilën fitimtarët perëndimorë të Luftës së Dytë Botërore kanë përcaktuar termat e dialogut global. Shumë prej nesh kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës në një kohë konsensusi të gjerë dhe të qëndrueshëm për vlerat tona më themelore të përbashkëta. Jeta njerëzore ka vlerë të barabartë; çdo qenie njerëzore ka të drejta themelore dhe të patjetërsueshme; jeta, trupi dhe ndërgjegjja jonë na përkasin neve dhe askujt tjetër. Këto të vërteta na duken aq të vetëkuptueshme deri në pikën e banalitetit. Megjithatë, shumica e njerëzve në shumicën e epokave të historisë njerëzore nuk kanë besuar asgjë të tillë.

Dhe, mendo çfarë ndodh kur dikush refuzon të përshtatet me ato vlera antinaziste që supozohet se janë universale. Për shembull, në Zimbabve në fund të viteve ’90 të shekullit XX, Chenjerai Hunzvi, një zyrtar shumë brutal në shërbim të Robert Mugabes, adoptoi dhe u krenua me nofkën “Hitler”. Ky ishte një sinjal për kundërshtarët e regjimit, për t’i trembur ata dhe për të sfiduar çdo kritikë që mund t’i bëhej. Në atë nivel, kjo funksionoi. Por, për pjesën tjetër të botës vetëm sa përforcoi perceptimin se udhëheqësit e Zimbabvesë ishin kthyer në grabitqarë të zakonshëm – dhe kontribuoi në izolimin ndërkombëtar të Mugabes.

Të identifikohesh qëllimisht me Hitlerin është gjë e rrallë. Më shpesh, njerëzit apo lëvizjet diskreditojnë veten përmes jehonave të pavetëdijshme apo të zbehta, por të dallueshme, të nazizmit. Shembujt më të qartë gjenden në prirjen e qëndrueshme të shumë lëvizjeve anti-izraelite dhe anti-sioniste në mbarë botën, për kaluar haptazi në antisemitizëm. Gjatë pjesës më të madhe të jetës sime, kushdo që thyente këtë tabu në shoqëritë perëndimore, përjashtohej automatikisht. Është shenjë e qartë e fundit të epokës së Hitlerit që kjo tabu sot është duke u shuar.

Edhe agresiviteti, gjithashtu, mund të aktivizojë “antitrupat” tanë anti-nazistë. Vladimir Putini mund të jetë habitur që pushtimi i tij i Ukrainës në vitin 2022 hasi në një reagim kaq ndryshe nga Perëndimi, në krahasim me luftën në Çeçeni apo aneksimin e Krimesë. Por, ato veprime të mëparshme nuk përfshinin pushtim të hapur dhe të plotë të një shteti fqinj dhe sovran. Kur Putini guxoi për një akt të tillë, ai preku kujtesën kolektive të Evropës për vitet 1938-‘40.

Nuk jam i pari që ka vënë re se bota moderne është e fiksuar me nazizmin, as që nazistët zënë një vend të jashtëzakonshëm në etikën tonë. Por, ata që e theksojnë këtë më shpesh vijnë nga një skaj i spektrit politik. Merreni, si shembull, shkrimtarin francez Renaud Camus, i njohur si ideatori i teorisë konspirative të ekstremit të djathtë, “Zëvendësimi i Madh”. Ai ka shprehur keqardhje për atë që ai e quan “karriera e dytë e Adolf Hitlerit” – domethënë, karrierën e Fyrerit si simbol moral. Camusi dhe aktivistë të tjerë ndihen të irrituar nga mënyra se si fantazma e nazizmit thirret sa herë që ata propozojnë dëbime masive të emigrantëve, spastrime në drejtësi, apo kufizime të lirive fetare të myslimanëve. Sipas tyre, ka ardhur koha që të mos trembemi më nga përbindëshat me svastika.

Ky nuk është qëndrimi im. Nuk dua që ne të harrojmë mësimet e nazizmit – mësime që u mësuan me një kosto të tmerrshme. Ta njohësh Hitlerin si përfaqësues të një së keqeje vërtet të jashtëzakonshme, është fillimi i urtësisë. Por, kjo njohje nuk mjafton. Vetëm të dish se Hitleri ishte përbindësh, nuk është një udhërrëfyes i mjaftueshëm për botën ku jetojmë. Në Britani, instinkti ynë ka qenë prej kohësh ta krahasojmë çdo krizë me Luftën e Dytë Botërore – madje, në mënyrë qesharake, u përpoqëm ta bënim këtë edhe me Kovidin-19. Ka disa të këqija që epoka e Hitlerit thjesht nuk na ka përgatitur t’i përballojmë, si dhe disa mësime të gabuara që na ka dhënë. Të bërtasësh “nazist!” kundër njëri-tjetrit është mënyra më e dëshpëruar për t’u marrë me krizat tona ekonomike, mjedisore dhe demografike. Dhe, një refuzim automatik i “paqësimit” si koncept – më vete – është udhërrëfyes i dobët për marrëdhëniet ndërkombëtare në një epokë bërthamore.

Vlerat tona janë më të brishta nga sa mendojmë. Ndjenja jonë për të drejtën dhe të padrejtën, bindjet tona të thella për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, na duken si të vërteta të përjetshme, të vetëkuptueshme – dhe nuk mund të mos i përbuzim paraardhësit tanë që s’kishin mprehtësinë t’i shihnin ato. As nuk mund të mos besojmë se, tani që i kemi kuptuar këto të vërteta, nuk do t’i harrojmë më kurrë. Me siguri njerëzit gjithmonë do të besojnë në demokraci dhe të drejtat e njeriut; me siguri harku i universit moral përkulet drejt drejtësisë? Por, kjo është e gabuar – dhe faktikisht e rreme. Vlerat tona – të miat, tuat – janë rezultat i një procesi të caktuar historik, një proces në të cilin Lufta e Dytë Botërore ka qenë vendimtare.

Dhe, tani, këto vlera sërish janë në lëvizje. Në të djathtën, në mbarë Evropën dhe përtej saj, tabuja kundër partive me erë fashizmi thuajse është zhdukur. Dishepujt e Trumpit luajnë me “përshëndetjen hitleriane” dhe gjëra të ngjashme, sepse u pëlqen të shohin kundërshtarët e tyre të pëlcasin nga zemërimi. Ndërkohë, në të majtën, politikat e reja identitare mbi racën dhe gjininë kanë sfiduar idetë që dikur ishin thuajse të pakundërshtueshme – si barazia e thjeshtë, aspirata për të qenë “të verbër ndaj ngjyrës,” apo bindja se antisemitizmi është një e keqe e jashtëzakonshme që duhet shmangur me çdo kusht. Në fakt, të dyja anët – dhe kjo nuk e çudit më askënd – kanë filluar ta helmojnë sërish diskursin ndaj hebrenjve.

Ne mund të përpiqemi të mbajmë gjallë konsensusin pas vitit 1945, por lufta po del nga kujtesa e gjallë. Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, epokës së Hitlerit – epoka kur magjepsja e tmerrshme ndaj nazistëve sundonte imagjinatën tonë morale – po i vjen fundi. Pyetja është: çfarë do të vijë më pas?

Nga: Alec Ryrie, historian / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com



Të ndryshme
Më shumë