Xhek London, pseudonim i John Griffith Chaney, (1876- 1916) është një nga romancierët dhe tregimtarët amerikanë më të përkthyer nëpër botë, aventurat personale dhe letrare të së cilit ndihmuan botën të zbulojë natyrën dhe natyrën njerëzore përmes romaneve të tilla si “Thirrja e Natyrës” (1903), përkthyer ë shqip edhe si “Thirrja e të parëve”, dhe “Dhëmbi i Bardhë” (1906) – ku përshkruhen përpjekje elementare për mbijetesë.
Braktisur nga i ati, një astrolog shëtitës, u rrit në Oakland, Kaliforni, nga nëna e tij spiritualiste dhe njerku. Ai mori mbiemrin e njerkut, London. Në moshën 14 vjeçare, e ndërpreu shkollën për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të fituar aventurë. Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve. Ai eksploroi Gjirin e San Franciskos me një varkë me velë, me raste duke vjedhur guaska ose duke punuar për një patrullë peshkimi të qeverisë. Ai shkoi deri në Japoni si marinar dhe pa shumë nga Shtetet e Bashkuara si një endacak që kacavirrej nëpër trena mallrash dhe si pjesë e ushtrisë industriale të Charles T. Kelly (një nga shumë ushtritë e protestave të të papunëve që u krijuan nga paniku financiar i vitit 1893). London pa kushtet e depresionit, u burgos si endacak dhe më 1894 u bë socialist militant.
BIOGRAFËT
U lind në San Francisco, lala Kaliforni, më 12 janar 1876, ai, sipas disa biografëve ishte biri i paligjshëm i një astrologu ambulant irlandez, i cili nuk e njohu asnjëherë. E ëma, Flora Wellman, e bija e një shpikësi nga Ohio. Jack (Xheku), u rrit prej nënës së tij dhe njerkut, John London (Xhon London) nga i cili mori dhe mbiemrin që përdori përgjithmonë. Mbaroi shkollën fillore më 1889 dhe në pak vite ndërroi dhe kreu shumë lloj punësh shpesh dhe jolegale në molet e Oaklandit dhe rrugët e San Franciskos. Shumë shpejt u gjend i përzier me shoqëri kontrabandistësh dhe hajdutësh. Punoi si lustraxhi, si gazetashitës trotuaresh, si gjuetar fokash dhe si marinar në anije balenash. U kthye pastaj në Oakland për të vazhduar studimet në Oakland High School, ku dhe mori pjesë në redaksinë e gazetës shkollore “The Aegis”. Më [1896] arriti të hyjë në Universitetin e Kalifornisë të cilin e braktisi pastaj një vit më vonë për arsye financiare. Në korrik të po atij viti u nis për Klondike, me ekspeditat legjendare të floririt.
Në këtë rajon të Alaskës, Jack London shkroi pastaj tregimet e tij të para të suksesshme. London arriti të shkruajë, në një periudhë 15- vjeçare, 49 vëllime librash të çdo lloji, duke u bërë kështu shkrimtari më i famshëm dhe, gjithashtu, edhe më i paguari i atij pesëmbëdhjetëvjeçari (1904-1916). Por veprat që e bënë të pavdekshme famën dhe stilin e tij janë romanet me aventura: “Kushtrimi i të parëve”,(1903), “Ujku i detit”, (1904), “Dhëmbi i Bardhë”, (1906); romani autobiografik: “Martin Eden” dhe ai fantastiko-politik: “Thembra e hekurt”. Vdiq, (mendohet të jetë vetëvrarë i shkatërruar nga alkooli), në moshën 40-vjeçare në Glen Ellen, Sonoma County, Kaliforni më 22 nëntor 1916.
ARSIMI
London e arsimoi veten nëpër bibliotekat publike me shkrimet e Çarls Darvin, Karl Marks dhe Niçe (Nietzsche), zakonisht në formate për publik të gjerë. Në moshën 19-vjeçare ai ngjeshi të gjithë shkollën e mesme në një vit dhe pas kësaj hyri në Universitetin e Kalifornisë në Berkli, por pas një viti iku nga shkolla për të kërkuar fatin në ethet e arit të Klondajkut. Kur u kthye një vit më pas, ende i varfër dhe në pamundësi për të gjetur punë, ai vendosi të nxjerrë jetesën si shkrimtar. London studioi revista dhe pastaj i ngarkoi vetes një orar të përditshëm për shkrimin e sonatave, baladave, barsoletave, anekdotave, rrëfenjave për aventura apo histori horror dhe e rriti në mënyrë konstante prodhimtarinë. Optimizmi dhe energjia me të cilën ai sulmoi punën që i ngarkoi vetes pasqyrohet në romanin e tij autobiografik “Martin Iden” (1909). Brenda dy viteve, rrëfenjat e aventurave të tij në Alaskë filluan të lexohen gjerësisht për shkak se sillnin një temë shumë të re mbi ngjarje shumë të freskëta me një forcë të madhe. Libri i tij i parë, “Themu, i biri i ujkut: Rrëfenja nga Veriu i Largët” (1900), është një përmbledhje me tregime të publikuara më parë në revista.
KRIJIMTARIA
Gjatë pjesës tjetër të jetës, London shkroi dhe publikoi vazhdimisht, duke plotësuar 50 libra krijimtari letrare dhe joletrare në më pak se 17 vjet. Megjithëse ai u bë shkrimtari më i mirëpaguar në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, fitimet e tij nuk mbuluan kurrë shpenzimet e tij dhe ai nuk ishte kurrë i lirë nga urgjenca për të shkruar për para. Ai lundroi për në Paqësorin e Jugut, duke rrëfyer aventurat e tij te The Cruise of the Snark (1911). Më 1910 ai bëri shtëpi në Glen Elen, Kaliforni, ku ndërtoi madhështoren Shtëpia e Ujkut. Ai i ruajti besimet e tij socialiste pothuajse deri në fund të jetës. Romanet e tij më të njohura janë: “Thirrja e natyrës” (The Call of the Wild), përkthyer në shqip edhe si “Kushtrimi i të parëve”, botuar më 1903, ku historia e etheve të arit dhe aventurës njerëzore për pasurim të shpejtë tregohet përmes historisë së një qeni të rrëmbyer në Kaliforni për t’u përdorur si qen slite në Alaskë, “Dhëmbi i Bardhë”, (1906) “Çizmja e hekurt” (1908) etj. Reputacioni i London filloi të venitet në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920 kur një gjeneratë e re shkrimtarësh i bëri paraardhësit e paraluftës të duken si jo të sofistikuar. Por popullariteti i tij vijoi të jetë i fortë nëpër të gjithë botën edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një rekord të vendosur në Rusi, një edicion përkujtimor i veprës së tij publikuar më 1956 raportohet se u shit brenda pesë orësh nga dalja në botim.
PROZA
Proza e tij mbetet një nga më të fuqishmet në antologjinë amerikane dhe jo vetëm. Ishte dhe mbetet shkrimtari anglo-sakson më i përkryer në gjithë botën, sidomos në Evropë. London ishte një shkrimtar me ide socialiste, por shumë romantike, naive, konfuze dhe kontradiktore. Megjithatë vepra e tij gjeti përhapje shumë shpejt në Bashkimin Sovjetik, në vendet e kampit socialist si dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, bindjet e tij për nevojshmërinë e ekzistencës së “racës superiore”, u gjetën të vlefshme dhe patën sukses edhe në letërsinë për fëmijë dhe të rinj në Gjermaninë e Hitlerit apo edhe në Italinë fashiste në vitet ’20 dhe ’30. Në të gjitha këto vende, regjimet në fuqi ditën ta interpretonin “ngatërresën” e ideve londoniane dhe ta shfrytëzonin në interes të politikës së tyre.
/Gazeta Panorama