Liljana Çefa punoi rreth tre muaj për krijimin e Fatosat në muze (1974), ku si fillim realizoi një mori skicash dhe studimesh të detajuar për secilin nga fëmijet në tabllo duke u bazuar në karaktere të vërtetë.
Ndër to edhe djali i saj dhe moshatarë të tij. Tabloja paraqet mësuesen me një grup fëmijësh të klasës së parë gjatë një vizite në pavionin e Luftës Nacional Çlirimtare në një Muze Historik.
Hapësira e muzeut siç është paraqitur në pikturë është e imagjinuar por e rikrijuar duke ju referuar Muzeve të epokes në Shkodër dhe Muzeut Historik në Tiranë. Tabloja paraqet një moment interesant në përballjen me historinë dhe mënyrën se si ajo përcillet dhe në të njëjtën kohë i shërben krijimit të kujtesës kolektive.
E përfshirë në ekspozitë kjo tablo i mundëson vizitorëve të reflektojnë mbi mediumin, ekspozitën, institucionin dhe me mundësitë dhe kufinjtë e përfaqësimit pamor.
Piktorja shqiptare, Liljana Cefa lindi më 1940. Ajo është fituese e disa çmimeve brenda dhe jashtë vendit. Ndër to mund të veçohen çmimi i parë i fituar në vitin 1997 në konkursin e pikturës të revistes “Pediatria” në Romë të Italisë, në 2007, Medalja e Argjendë Internacionale në konkursin e 37-të të Akademisë Europiane të Artit në Belgjikë etj.
Për vlerat e saj si piktore, por edhe si pedagoge e pikturës, piktorja Liljana Çefa është nderuar në vitin 2000 me titullin “Krenaria e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ndërkohë që më parë ka marrë edhe titullin “Naim Frasheri”.