Muzeu i Drishtit do të jetë së shpejti pjesë e rrjetit të muzeve të Shkodrës.
Lajmin e bëri me dije kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, teksa shtoi se prej disa ditësh ka nisur puna për rijetësimin e këtij institucioni kulturor.
Sipas Becit, muzeu i Drishtit i jep vlerë zonës përmes nxjerrjes në pah të trashëgimisë dhe pasurive kulturore të Drishtit, Postribës dhe mbarë Shkodrës, shkruan atsh.
Muzeu, por edhe kalaja e Drishtit pritet të kthehen në atraksione turistike të Shkodrës, për vendasit, por edhe për turistët e huaj.
Godina e muzeut është trekatëshe dhe e përbërë totalisht prej guri, ndërsa në të janë projektuar gjashtë dhoma në formën e muzeve.
Një nga dhomat është e pajisur me veshjet tradicionale të zonës, ndërsa në hapësirat e tjera do të ofrohen copëza të tjera të artit dhe trashëgimisë së Shkodrës, përmes suvenireve dhe objekteve të ndryshme.
Restaurimi i muzeut të Drishtit, pritet që ta kthejë këtë godinë në një institucion që pasqyron traditën dhe kulturën mijëravjeçare të zonës së Drishtit.