Mbresa dhe shënime për romanin “Dashnori” të Margerit Dyras-it.
Të lexosh një libër të tillë, të vështirë, dramatik, por edhe me një shije krejt origjinale, është si të kafshosh një ftua të athët, të egër, por falë lëngut të tij të ndiesh edhe shijen e vërtetë të jetës. Nuk është e lehtë ta bluash, e pamundur ta përtypësh pa një ndjesi hidhësie në shpirt. Vetë fakti që shkrimtarja ka vendosur ta rrëfejë këtë të vërtetë të jetës së saj prej adoleshenteje në moshë të thyer, është shumë domethënës.
Këtu për shkrimtarët shtrohet një pyetje themelore: Më mirë një përrallë e bukur por herë-herë plot lustër, apo një e vërtetë e sinqertë, dramatike, treguar me art nga një mjeshtre rrëfimi?!
Dua të them. Gati të gjithë shkrimtarët tregojnë “përralla të bukura” apo dramatike në vetën e tretë. Por kur vjen puna të tregojnë të vërtetat e tyre, atëherë aty ato stepen, heshtin, bëjnë një hap prapa. Dhe e dinë fare mirë që sinqeriteti në art, është edhe zholi fitues.
Me këtë roman, shkrimtarja na flet për kurajën që ajo ka për ta rrëfyer jetën e saj siç ka ndodhur vërtet dhe jo siç ajo dëshiron që të dalë. Dyras ka dalë lakuriq në treg. Me shpirtin e saj dhe ky është një akt krejt i vështirë, heroik i rrëfimtares. Një sipërmarrje e cila ka nevojë për emancipim letrar.
Ky libër rrëfim-intim, është pra si një frut i hidhur, i fortë, të cilin kur e kafshon, ai gati sa nuk t’i thyen dhëmbët. Si të ishte një lëvozhgë bajameje, e cila kërkon forcë të thyhet. Por së bashku me rezistencën e saj, ajo bart brenda gjithashtu edhe lëndën më të çmuar të jetës. Të vërtetën e saj thënë sinqerisht. Një të vërtetë, për rrëfimin e së cilës nevojitet kurajë intelektuale dhe shumë forcë për ta thënë.
Kjo është edhe ndërmarrja heroike që ka bërë Dyrasi, me këtë roman të shkurtër por përmbledhës. I cili, nuk flet veç për dashurinë. Ai është më shumë. Ai, para së gjithash është një roman mbi mjerimin moral të familjes, mbi problemet e saj, mbi dështimet, vuajtjet, urrejtjet dhe pakënaqësitë që rriten dhe jetojnë brenda perimetrit të saj të padukshëm, intim.
Një vajzë gati 16 vjeçare, e cila shtyrë nga natyra e saj rebele, nga pulsionet seksuale dhe nga kurjoziteti për të njohur botën, lidhet fshehtësisht në formë intime me një pasanik 27 vjeçar kinez, njohur rastësisht mbi brigjet e një lumi.
Deri këtu asgjë të jashtëzakonshme. Por shkujdesja e saj, indiferenca dhe ftohtësia me të cilën ajo i kryen arratisjet e saj sekrete, na bën të reflektojmë mbi pështjellimin e saj psiqik dhe mendor. Familja ku po rritet, jeton në dekadencën dhe degradimin e saj më ekstrem. Më shumë se një degradim ekonomik, (është dhe ky faktor) këtu flitet për një degradim moral, nga ku ajo don të arratiset. T’i shmanget, t’i largohet me çdo kusht. Duket sikur ajo për të realizuar ëndrrën e saj, përdor trupin ende të qashtër, në shkëmbim jo të dashurisë, por të një shprese për një jetë më të mirë ndoshta?! Nuk do t’i dimë kurrë arsyet e vërteta të rebelimit të saj të parakohshëm, dhe shkrimtarja, tashmë ka 28 vjet që nuk jeton më, por ky rrëfim sa i ashpër, i drejtpërdrejtë po aq edhe dramatik, na trondit keq. Ai na bën të reflektojmë.
Sa familje, sa njerëz, sa frymë gjejnë vetveten në një ngjarje të tillë. Nëse nuk gjejnë drejtpërdrejt vetveten, ato gjejnë aty diçka patjetër. Diçka të thellë dhe të vërtetë. Atë që nuk thuhet, që nuk rrëfehet, por vdes brenda nesh, për turp, për frikë nga gjykimi i shoqërisë për skandal. Këtë e ka treguar mirë suksesi i librit. 800 mijë kopje të shitura brenda fare pak javësh në Francë. Ishte viti 1984. Kjo është pra forca e të vërtetës. E sinqeritetit të saj. Ndoshta rrëfimi i sinqertë kërkon edhe një shpagim nga ana e shkrimtarit? Si ajo ngrehina themelet e të cilës që të mbajnë kanë nevojë për një flijim, po ashtu edhe një rrëfim i bukur, ka nevojë për të njëjtën gjë? I duhet shkrimtarit ta bëjë këtë? Turpi kolektiv, skandali moral, sikleti, fakti që sekretet intime të familjes bëhen mall me çmim qesharak në tregun e përbindshëm të kuriozitetit, thashethemnajës publike.
Është sikur njeriu të shesë për pak aspra vetë sekretet e jetës së tij. Por ai e bën këtë në emër të artit të tij rrëfyes. Këtu flitet për emancipim apo për cinizëm letrar?
Një rrëfim i kursyer është ky roman, për të mos thënë kurnac. Ku ekonomia e fjalëve, ka për detyrë t’ia shtojë forcën evokuese atyre. Ky libër i vogël është një roman dramatik dhe gjithëpërfshirës, i cili na flet për shumë gjëra. Na flet për dinamikën brenda familjes, na flet për falimentimin e saj, për luftën e njeriut për t’u çliruar nga degradimi i saj.
Edhe pse në dukje e vogël, ajo është një histori e madhe. Edhe stili është tepër i goditur. Autorja, shkon dhe vjen në kohë si të dojë ajo. Ajo i rikthehet temave bazë disa herë. Flet, për vëllezërit e saj aq të kundërt. I madhi egocentrik, përbuzës dhe i akullt. I vogli, i trembur, i brishtë, viktimë e arrogancës së vëllait tjetër. Flet për nënën e saj, viktimë e kohës së saj të egër. Flet për kolegjin, arratisjet e saj dhe dëshirën e zjarrtë për tu bërë shkrimtare. Pastaj i rikthehet dashnorit kinezi. Edhe ai i brishtë dhe i llastuar. Viktimë e pozicionit të tij shoqëror.
Ecejaket e saj janë të pandërprera. Ajo, shkon dhe vjen në kohë sipas humorit të ndjenjave. Rishtas përshkruan, zgjeron, kapet me personazhet dytësorë, i portretizon ato me fare pak fjalë. Rikthehet në kohë. Bën një fluturim dhjetëvjeçarësh, pastaj rishtas gjendet në dhomën e mugët të rezidencës së kinezit ku ata, dashnorët, rrinë të shtrirë pranë njëri-tjetrit. Dëgjohen klithmat e rrugës, zhurmat, aromat, ndjehet afshi i të nxehtit. Ata flenë lakuriq, bëjnë dashuri, apo edhe thjesht rrinë në heshtje.
Është një dashuri e pamundur. I riu kinez, i dobët dhe qaraman, krejt i dashuruar, nuk mund t’i shpëtojë dot të ardhmes së tij prej miliarderi, shënjuar nga destini i familjes. Dhe ajo, çupëlina franceze, rritur pa figurën e babait, me një familje të gjymtuar, nuk ndien asgjë për atë. E ka shtyrë drejt tij aventura, kurioziteti, guximi i tepërt. Nis të hulumtojë për herë të parë, botën e seksit me një shpengim dhe ftohtësi prej vajze të rritur. Kuraja e saj është vërtetë tronditëse.
Pastaj vijnë me radhë aromat, ngjyrat, tingujt, peizazhet, inatet, mëritë, urrejtja, erosi, lotët. Si një kazan i madh, ku gatuhet çorba e jetës me të mirat dhe të këqijat e saj.
Ngjarjet zhvillohen në një epokë krize. Krizë e thellë e një kolonializmi imperial, i cili është në grahmat e fundit të ekzistencës së tij. Por më tepër se krizë koloniale, ajo është një krizë e vetë botës ku çupëlina jeton.
Jemi në kohën mes dy luftërave botërore. Mungesat ekonomike, kanë sjellë edhe mungesa shpirtërore. I kanë rrezikuar ato keq, duke vënë në provë vetë integritetin moral të njeriut. Ç’përfaqëson ashtu sjellja e protagonistes? Një sjellje prej gjysmë prostitute, siç ajo pohon vetë. Shthurje apo rebelim? Kuriozitet i parakohshëm, apo trazim i brendshëm?
Ajo që na mbetet, mbasi e mbyllim këtë kryevepër, është shija e së vërtetës. Dramaticiteti rrezatues i saj. Si në të gjitha veprat e vërteta letrare, ajo lë mbresa të forta, të pashlyeshme në psikikën e njeriut.
Një roman i lirë pra, pa paragjykime, pa frikë. Krejt i zhveshur nga trysnia e gjykimit moral mbi jetën e shkrimtares. Por nuk është veç kjo. Është në radhë të parë, arti i Dyras-it. Mjeshtëria me të cilën ajo shtron nëpër faqe, lëndën rrëfyese. Si i qep, si i lidh skenat, si i shton ato, fragment mbas fragmenti.
Duke u kthyer dhe rikthyer tek temat e librit, ajo jo vetëm i përshkruan në formë kujtimi, por gjithashtu ajo reflekton mbi ndodhitë. Ndalet, i përshkruan ato me filtrin e nostalgjisë, me melankolinë e një 70-vjeçarje. Është ky një rrëfim retrospektiv, ku autorja tregon por edhe mallëngjehet, ndalet, çlirohet ndoshta nga brengat e dikurshme të cilat si faje i bart gjithkund me vete.
Rrëfimi, veç në dukje ngjet si i shpërndarë. Si pa logjikë. Si i hallakatur keq, ku autorja ka nevojë të rikthehet me të njëjtën forcë rievokuese. Në të vërtetë, rrëfimi është i menduar në këtë formë. Aj bën një përshkrim jo horizontal, por vertikal të ngjarjes. Takimet fshehurazi me dashnorin e saj kinez. Vëllai i vogël, i cili do të ikë shpejt nga kjo botë. “Vdiq nga marazi dhe frika e atij tjetrit!” thekson shkrimtarja. Urrejtja për cinizmin e të vëllait të madh, është një pasion i thellë i saj. Duket sikur Dyras nuk ka respekt për familjen e saj, vetë jetën e saj. Nëna: figurë e falimentuar në rolin e saj edukues, asaj i ngjall ndjenjën e mëshirës. Pastaj vijnë me radhë personazhet e tjerë. Dashnori i Kohelit. Helene Lagonell. Bety Fernandez. Lumi, Qyteti kolonial, piroskafët, që për 24 ditë lundrim lidhin Indokinën me Francën, etj.
E përsëris. Grushti në stomak i këtij romani qëndron tek vërtetësia e tij. Vlen për t’u përmendur veç skena kur vëllezërit e saj, – ftuar për darkë nga kinezi së bashku me nënën -, as nuk e ngrenë një herë kokën ta pyesin se si e ka emrin bamirësi. Ku ai banon, me se merret. Ata veç përfitojnë nga bujaria e kinezit. Konsumojnë në restorant hamje nga më të shtrenjtat. As nuk duan t’ia dinë se e çfarë natyre është lidhja që motra e tyre ende e mitur ka me të. Ato janë krejtësisht mospërfillës kundrejt këtij pinjolli milioner. Ai është kinez dhe ata janë të bardhë, pra racë superiore. As nuk e falënderojnë, por e injorojnë atë krejt. Flitet për vitet 30 të shekullit të kaluar. Jemi në një qytet kolonial francez të Indokinës. Më shumë se dekadencë morale, kjo tregon një të vërtetë tragjike të vetë ambientit ku ajo po rritet. Por ajo. Protagonistja që rrëfen, nuk shkon me pinjollin e kamur veç për faktin se ai krimbet në pará. Ajo deklaron se e dëshiron ashtu siç ai është. Me paratë e tij. Ajo me siguri don t’i arratiset një ferri familjar, ku nuk e ka ndjerë kurrë dashurinë. Nuk e ka ndjerë kurrë kujdesin, as ngrohtësinë e familjes. Por ku ajo ka ndjerë veç urrejtje, inat, mërzi, mjerim dhe sherre.
Autorja është e pamëshirshme në rrëfim. Rrezatohet aty urrejtja, mllefi, zhgënjimi, boshi dhe trishtimi i saj. Ajo nuk kursen asnjë. As veten e vet, as nënën, as të vëllain. Por kalon me rrezet x gjithçka. Raportet në familje, rebelizmin e saj të parakohshëm, mosbindjen, tragjizmin, trishtimin seksual. Ajo na trondit.
Gjuha është herë e thjeshtë, herë e ndërlikuar. Lexuesit i duhet sforcim për të përtypur figurat letrare, përqendrim për të përtypur dendësinë e fjalës. Ajo përdor një stil përmbledhës, përgjithësues, herë-herë abstrakt. Një stil jo krejt i kuptueshëm dhe i thjeshtë për t’u asimiluar. Shkrimi i saj është sintetik, gjithëpërfshirës. Duket qartë që mbi fjalët që përdor ajo reflekton, i grin imët, i përpunon me kujdesin e një zejtareje në ofiçinën e saj krijuese. Është pra shkrimësia e një mjeshtreje, e cila ulet të rrëfejë një brengë, një ngërç. Ndodhinë e jetës së saj, e cila me siguri i ka shënjuar të ardhmen.
Ky është romani: “Dashnori”. Intensiv dhe prekës. I ëmbël dhe i tmerrshëm. Por i cili rrezaton edhe një bukuri të vërtetë, të rrallë. Roman përkthyer mjeshtërisht nga Nasi Lera, me botues Dituria. Ky roman më ka kujtuar disi edhe romanin e Vorpsit: “Vendi ku nuk vdiset kurrë”. Por shembulli i librit të përmendur, nuk e ka fatkeqësisht artin rrëfyes të shkrimtares franceze./ Peizazhe të fjalës