TV LIVE
Kuriozitete
24 June 2025
Rrezik i tmerrshëm për gjithë njerëzimi: del në ankand letra e Albert Ajnshtajnit kundër luftës

Një letër që Albert Ajnshtajni e shkroi në vitin 1952 për një revistë japoneze është nxjerrë në ankand. E titulluar “Për pjesëmarrjen time në projektin e bombës bërthamore”, dokumenti përshkruan mendimet e Ajnshtajnit mbi garën globale të armatimit bërthamor, pas një kërkese nga redaktori i një reviste për të justifikuar mbështetjen që ai i kishte dhënë programit amerikan të armëve bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajnshtajni nuk mori pjesë drejtpërdrejt në zhvillimin e bombës bërthamore, por në gusht të vitit 1939 ai i dërgoi një letër presidentit Franklin D. Roosevelt, ku paralajmëronte se Adolf Hitleri dhe partia naziste ishin shumë pranë zhvillimit të armëve bërthamore. Kjo letër e shtyu Roosevelt-in të niste një program sekret bërthamor në SHBA, i cili më pas u njoh si Projekti Manhattan.

Si një pacifist i përjetshëm, Ajnshtajni më vonë ndjeu keqardhje për rolin që kishte luajtur në bindjen e SHBA-ve për të ndërtuar, dhe më pas për të përdorur, bombën bërthamore. Drejt fundit të jetës së tij, ai e quajti letrën drejtuar Roosevelt-it si “gabimi i tij i madh.”

“Të vrasësh në kohë lufte, për mendimin tim, nuk është në asnjë mënyrë më mirë sesa një vrasje e zakonshme,” shkroi ai në letrën e vitit 1952.

Sipas Bonhams, shtëpia e ankandeve që po e shet letrën, kjo ishte shkruar si përgjigje për Katsu Harën, mik i vjetër dhe redaktor i revistës japoneze Kaizō, i cili i kishte dërguar Ajnshtajnit disa letra pas Luftës së Dytë Botërore. Në njërën prej tyre, ai e pyeste pa dorashka:

“Përse bashkëpunove në prodhimin e bombës bërthamore, edhe pse ishe i vetëdijshëm për fuqinë e saj shkatërruese të jashtëzakonshme?”

Duke ardhur nga një mik dhe koleg, vendi i të cilit ishte shkatërruar së fundmi nga dy sulme me bomba bërthamore të hedhura nga SHBA, të cilat u hodhën mbi Hiroshimë dhe Nagasaki me 6 dhe 9 gusht 1945, duke vrarë mbi 100,000 njerëz, pyetja duket se e kishte prekur thellë Ajnshtajnin.

“Isha plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun e tmerrshëm për gjithë njerëzimin, nëse këto eksperimente do të kishin sukses,” i përgjigjej Ajnshtajni në letër. Megjithatë, “nuk shihja asnjë rrugë tjetër,” shkruante ai, duke shtuar se mundësia që Gjermania të ndërtonte një armë bërthamore e para ishte shumë e rëndë për t’u shpërfillur.

Në letër, Ajnshtajni vazhdon të bëjë thirrje për “zhdukjen rrënjësore të luftës.” Ai e quan Mahatma Gandhin “gjeniu më i madh politik i kohës sonë,” dhe lavdëron lëvizjen e tij të protestës paqësore kundër sundimit kolonial britanik në Indi si një model për çlirim dhe veprim politik.

Hara e botoi letrën në gjermanishten origjinale, së bashku me një përkthim në japonisht, në vitin 1952. Letra që po del tani në shitje është versioni i parë në anglisht, i cili u përkthye në vitin 1953 nga fizikani teorik Herbert Jehle me ndihmën e vetë Ajnshtajnit, sipas Bonhamsit.

Dokumenti mban firmën e Ajnshtajnit në fund, si dhe disa korrigjime me laps mbi gabime shtypi në tekst. Jehle e botoi këtë version në buletinin e Shoqatës për Përgjegjësi Sociale në Shkencë, ku ishte redaktor.

Ankandi do të mbyllet më 24 qershor dhe letra pritet të shitet nga 100,000 deri në 150,000 dollarë.



Të ndryshme
Më shumë