TV LIVE
Kuriozitete
20 June 2025
Qyteti i Zotit të Detëve/ Në brigjet e Italisë së Jugut, ku historia flet në gurë dhe deti frymon artin

Qyteti i Zotit të Detëve

Në brigjet e Italisë së Jugut, ku historia flet në gurë dhe deti frymon artin.

Midis kodrave të Cilentos dhe brigjeve të qeta të Detit Tirren, shtrihet një nga thesaret më të ruajtura të qytetërimit antik: Parku Arkeologjik i Paestum- Pasuri e Uneskos.

Është një vend ku koha rrjedh ndryshe – jo në orë, por në epoka.

Qyteti i Zotit të Detëve/ Në brigjet e Italisë së

Në agim ose në muzg, ndërsa drita luan me kolonat, vendi duket si një pikturë në lëvizje – s’të flet me fjalë, por të prek me qendresën e tij.

Cilento – zemra natyrore e Italisë Jugore

Larg zhurmës së qyteteve të mëdha, Cilento-Campania është një rajon i virgjër, pjesë e UNESCO-s për bukurinë dhe rëndësinë kulturore. Fshatra me rrugica të ngushta, ujëra të kristalta dhe male të mbuluara me ullinj e dafinë – është një parajsë për udhëtarët që kërkojnë autenticitet.

Në fshatin Castellabate, banorët ende flasin dialektin lokal dhe përshëndesin çdo vizitor si mik.

Në Agropoli, qyteti më i madh në zonë, ofron të zgjedhësh historinë me detin apo jetën argëtuese të mbrëmjes.

Parku Arkeologjik i Paestum

Përtej qyteteve të zhurmshme dhe turizmit masiv, shtrihet një tokë ku koha ka ruajtur gjurmët e mijëvjeçarëve. Në zemër të bregdetit të Cilentos, i mbrojtur nga kodrat e gjelbra dhe përqafuar nga Deti Tirren, ndodhet Parku Arkeologjik i Paestum – një ndër dëshmitë më të rralla dhe më të ruajtura të civilizimit grekë.

Nga momenti që shkel në shtegun me kalldrëm që të çon drejt tempujve, ndien se kjo tokë ka jetuar shumë gjatë. Në këtë vend, grekët e lashtë ngritën një qytet të shenjtë për Poseidonin, zotin e deteve, në shekullin VI p.e.s. Tre tempujt dorikë të ruajtur jashtëzakonisht mirë qëndrojnë ende në këmbë – madhështorë.

Tempulli i Herës, i njohur si “Basilika”, është më i vjetri – kolona të gjera që duken si roje të së shkuarës.

Tempulli i Poseidonit, më i bukuri e më i plotfuqishmi, e sfidon kohën me elegancën e tij dorike.

Tempulli i Athenës, me elemente jonike, shfaq zgjuarsinë dhe hijeshinë e qytetërimit helen.

Këto struktura nuk janë vetëm objekte ndërtimore – ato janë dëshmi të gjalla të një qytetërimi që përjetësoi hyjnoren përmes gurit.

Qyteti i Zotit të Detëve/ Në brigjet e Italisë së

Përballë tempujve është ngritur muzeu i Paestum-it, që ofron një dritare informuese e trashëguese mbi jetën e traditën e lashtë të banorëve, me gjetje unike si Varri i Zhytësit, një pikturë funerare unike në llojin e saj.

Paestum dhe Cilento janë shumë më tepër se një destinacion. Janë një ftesë për të ndalur kohën, për të dëgjuar të shkuarën dhe për të njohur më shumë për veten, njeriun.

Nga Poseidonia në Paestum

E themeluar rreth vitit 600 p.e.s. nga kolonistë grekë nga Sybaris, qyteti u quajt fillimisht Poseidonia, në nder të zotit të detit, Poseidonit. Kolonët sollën me vete jo vetëm arkitekturën dhe gjuhën, por edhe botëkuptimin grek mbi qytetin, hyjninë dhe jetën kolektive.

Pas pushtimit nga lukanët dhe më vonë nga romakët, qyteti ndryshoi emër në Paestum dhe u integrua në rrjetin e qyteteve romake. Ndërsa tempujt mbetën si qendra të kultit, u ndërtuan rrugë, forume, amfiteatro dhe banja – një transformim që pasqyron gjithë historinë e Italisë antike.

Cilento – kujdestari i heshtur i trashëgimisë

Rajoni i Cilentos, me tokën e tij pjellore, fshatrat e ruajtur dhe kulturën bujqësore, ka shërbyer si mburojë natyrore për Paestumin për më shumë se dy mijë vjet. Në këtë vend, ku tempoja e jetës është e ngadaltë dhe rrënjët janë të thella, ruajtja e trashëgimisë nuk është vetëm një përgjegjësi institucionale, por një pjesë e identitetit lokal.

Në vitin 1998, Parku Kombëtar i Cilentos dhe Paestumit u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si një zonë ku kultura, historia dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni.

Qyteti i Zotit të Detëve/ Në brigjet e Italisë së

Paestum- një dritare drejt Mesdheut të hershëm

Paestum dhe Cilento nuk janë vetëm një udhëtim në të kaluarën – ato janë një reflektim mbi mënyrën si kultura antike ka formësuar botën moderne. Këtu, midis kolonave të lashta dhe gjelbërimit të përjetshëm, gjejmë jo vetëm rrënjët e Evropës, por edhe vetë thelbin e qytetërimit mesdhetar: bashkëjetesën mes natyrës, njeriut dhe hyjnores

8



Të ndryshme
Më shumë