TV LIVE
Nga Rajoni
18 June 2025
Raportimet se u takua me Kurtin, deputetja e LDK-së: Nuk votoj ndryshe nga partia

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka reaguar publikisht pas raportimeve që e lidhin me një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

 

Në një deklaratë të publikuar në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka hedhur poshtë çdo spekulim, duke theksuar se qëndrimi i saj politik mbetet i pandryshuar, shkruan Gazeta Infokus.

“Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Unë nuk kam dhe nuk do të ushtroj asnjëherë votë individuale për ndonjë parti politike jashtë vullnetit të Grupit Parlamentar të LDK-së,” ka shkruar Kabashi-Muçaj.

Deputetja ka theksuar se vendimmarrja e saj do të jetë gjithmonë në përputhje të plotë me qëndrimet e partisë që përfaqëson dhe se nuk do të mbështesë asnjë koalicion pa pajtimin e LDK-së.

“Jam e vendosur që të përfaqësoj me integritet dhe përgjegjësi besimin që më kanë dhënë qytetarët, dhe kurrë nuk do të veproj në kundërshtim me këtë besim,” përfundon ajo në deklaratën e saj publike.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur spekulimet për lëvizje të mundshme brenda opozitës dhe afrim me Vetëvendosjen janë shtuar, sidomos në kontekstin e përpjekjeve për zhbllokimin e institucioneve pas më shumë se katër muaj ngërçi politik.



Të ndryshme
Më shumë