Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash nga radhët VLEN-it pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Këtë e bëri të ditur sot kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përcjell INA.
Ai theksoi se pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes do të ndodhë edhe vendimmarrja politike për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të tetorit.
Kasami shtoi se në këtë fazë po zhvillohen edhe anketa për të përcaktuar se cilët kandidatë kanë shanse më të mëdha për rezultate të suksesshme në zgjedhje.
“Jemi në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve, një proces pak më kompleks, duke bashkëbiseduar me kandidatët që vijnë si nga partitë politike, ashtu edhe nga shoqëria civile, si dhe faktorë të rëndësishëm të shoqërisë. Po kryejmë anketa për të testuar se cili nga kandidatët do të ketë përkrahjen më të madhe të votuesve,” tha Kasami.
Procesi i përzgjedhjes po zhvillohet në një kohë kur partitë politike intensifikojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të tetorit, duke synuar të sigurojnë kandidatë të fuqishëm dhe të pranueshëm në opinion.(INA)