TV LIVE
Nga Vendi
10 June 2025
Fetai i shkruan letër Taravarit, pas një videoje që iu publikua lidhur me ndarjen e rrugëve

Zëvendëskryeministri dhe bashkëpartiaku i afërt i Arben Taravarit, Arben Fetai, ka publikuar një letër të hapur drejtuar kreut të Aleancës për Shqiptarët, ku shpreh zhgënjimin dhe keqardhjen për ndryshimin e qëndrimeve dhe veprimeve të Taravarit, të cilat i konsideron si devijim nga idealet fillestare të përbashkëta.

Në letër, Fetai e quan Taravarin “adash” dhe “vëlla”, duke kujtuar betejat politike që kanë ndarë bashkë, jo për interesa personale apo përfitime financiare, por për një mision politik dhe për shpresën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai e hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për përfitime materiale, duke theksuar se ka lënë të ardhura shumë më të mëdha në sektorin privat për të kontribuar në politikë.

“Qesharake është të thuash se jam shitur për një rrogë prej 1.890 eurosh”, shkruan Fetai, duke shtuar se ai është zyrtarisht ministri më komod financiarisht sipas deklarimeve të pasurisë, dhe se ka vepruar gjithmonë me ndershmëri.

Fetai akuzon Taravarin se ka bërë pazar politik me BDI-në – një parti që vetë Taravari e ka quajtur më parë “kancer i shoqërisë”. Ai shprehet se nuk është ai që ka ndryshuar, por vetë Taravari, i cili sipas tij ka braktisur idealet dhe është kthyer në shërbim të kundërshtarit politik.

“Ti je ai që bëre pazar për rikthimin e kancerit të shqiptarëve në këmbim të 6 komunave. Ti je ai që tentove ta çosh Aleancën në prehrin e kundërshtarit historik,” shkruan ai.

Letra përfundon me një thirrje për reflektim, duke i kujtuar Taravarit se “politika nuk është profesion, por mision”, dhe se ai ende ka mundësi të kthehet aty ku dikur ishin bashkë – në krah të Aleancës së vërtetë dhe të qytetarëve.

Këti reagimi i parapriu një video e publikuar nga ASH e Arben Taravarit dhe në profilin e këtij të fundit, ku grupi i ASH-së që mbeti në kuadër të VLEN u akuzuan si të shitur dhe gjithçka kishte ndodhur brenda pak muajsh.



Të ndryshme
Më shumë