TV LIVE
Nga Vendi
9 June 2025
Merko u lirua nga aktakuza, Gjykata vlerësoi se Audiu luksoz nuk ishte provë e mjaftueshme për vepër penale

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, u lirua nga akuzat në procedurën për blerjen e një makine luksoze Audi me vlerë 67,000 euro, pasi Gjykata vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për vepër penale, transmeton Portalb.mk.

Vendimi i gjykatës përcaktoi se gjatë prokurimit publik nuk kishte prova që tregonin se Merko kishte ndërmend të abuzonte me pozicionin e tij. Avokati i tij mbrojtës, Igor Petkovski, theksoi se vendimi konfirmon se nuk është shkelur asnjë rregull ligjor në blerjen e automjeteve zyrtare, vlera totale e të cilave është 114,000 euro.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e akuzoi Merkon për keqpërdorim me pozicionin zyrtar. Rasti tërhoqi vëmendjen gjithashtu sepse Merko ishte në listën e zezë në Shtetet e Bashkuara për shkak të dyshimeve serioze për aktivitete korruptive dhe ndikim mbi sistemin gjyqësor.

Megjithatë, Gjykata vlerësoi se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për ndjekjen e tij penale në këtë rast specifik, prandaj Merko u lirua nga akuzat.

Hetimi kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, u iniciua nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe u përpunua nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Objekti i procedurës ishte prokurimi publik i një makine zyrtare luksoze “Audi A6”, me vlerë 66,700 euro, e cila u përdor nga vetë kryetari i Komunës, si dhe tre automjete të tjera, me një vlerë totale prej 114,000 eurosh.

Akuza u ngrit sipas nenit 353 paragrafi 4 të Kodit Penal, pra për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, një vepër penale e dënueshme me burgim nga një deri në pesë vjet.

Komisioni Kundër Korrupsionit tregoi se blerja e automjeteve të shtrenjta u krye në një kohë kur Komuna e Strugës po përballej me një situatë të vështirë financiare dhe një borxh prej rreth katër milionë eurosh, që, sipas tyre, përfaqësonte menaxhim të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm të fondeve publike.

Në mbrojtjen e tij, Merko argumentoi se makina nuk ishte luks dhe se blerja ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së rrënuar të flotës ekzistuese. Ai madje deklaroi se edhe qytetarët e zakonshëm ngasin makina me vlerë 100,000 euro, duke u përpjekur kështu ta vendoste vlerën e automjetit zyrtar në perspektivë.

Prokuroria ngriti aktakuzën më shumë se një vit pasi Islam Abazi mori detyrën si kreu i Prokurorisë për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar, dhe publiku tregoi interes të shtuar për çështjen, veçanërisht pasi Merko u vendos në “listën e zezë” të SHBA-së për shkak të dyshimeve serioze për korrupsion dhe ndikim mbi sistemin gjyqësor.

Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për 20 vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më 16 dhjetor 2024 dhe kishte të bënte me punë të pakujdesshme në shërbim.



Të ndryshme
Më shumë