TV LIVE
Kuriozitete
4 June 2025
“Na këndojnë pushkët nëpër kulla”, kënga që përjetësoi Qerim Sulën! Cili ishte amaneti i artistit

HALIL RAMA *MJESHTËR I MADH

“Kadal hasëm se k’tu ka burra/ Na k’nojn pushkët/ Nëpër kulla/ Ta shtrojm vendin/ Pllamë e plumba/…/Me gjoks flakën /Ja shuajm topit/ Jemi gjaku i Kastriotit/ Le e rrit o ne kull te barotit…”

Padyshim që interpretimi mjeshtëror i vargjeve të kësaj kënge epike me zërin e tij kushtrimor, do ta rendisnin Qerim Sulën me zërat e lavdisë shekullore. Por askush nuk e kishte menduar se ai do të përcillej në botën e përtejme pesë vjet më parë, pikërisht me jehonën e kësaj kënge, atje në vendlindjen e tij në Zall Dardhë ku prehen eshtrat e të parëve. Qerim Sula mbylli sytë pas një beteje me një sëmundje të rëndë, sprovë që nuk e kaloi dot, më 31 maj 2020. Personalitete të politikës, artit e kulturës dhe të botës akademike do të shprehnin ngushëllime për këtë humbje të madhe, duke e konsideruar në zi artin dhe kulturën tonë kombëtare. Njëri prej tyre, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar me këtë rast familjarët, miqtë dhe komunitetin artistik duke thënë se këngët epike të Qerim Sulës kanë lënë gjurmë të pashlyera dhe frymëzim për brezat. “Na paska lënë këngëtari i njohur dibran, “Mjeshtri i Madh” Qerim Sula. Ai, përmes këngëve epike, transmetoi vlera atdhetare dhe kombëtare, të cilat mbeten gjurmë të pashlyera dhe frymëzim për brezat. Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit artistik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. Po. Ishte shuar një zë burrëror që vinte si një jehonë drithëruese duke shkundur e mbajtur gjallë shpirtin e pamposhtur me piskamën e fortë të maleve të Dibrës për liri. Por amanetin s’e tret dheu.

AMANETI I ARTISTIT

Ai u kishte shprehur njerëzve të familjes dhe miqve të tij më të ngushtë dëshirën për ta varrosur në vendlindjen e tij, në Zall Dardhë, ku në altoparlantë të ushtonte kënga e tij ”Na k’nojn pushtkët nëpër kulla”. Ndaj kushërinjtë Muharrem e Lazam Gjoka, miqtë e ngushtë Latif Miha e Defrim Methasani dhe nusja e djalit, Vera, do ta përmbushnin besnikërisht këtë amanet, kur edhe në kushtet e izolimit total prej kolerës covid-19, do të udhëtonin me arkivolin e tij nga Tirana për në Zall Dardhë, ku edhe në ato kushte do të organizonin një ceremoni mortore dinjitoze të artistit të madh dibran, këngëtar i këngëve epike në vend, zëri dhe kontributi i të cilit në muzikë do të mbahen mend ndër breza. Zëri dhe kënga e tij do ta mbajnë gjallë të madhin Qerim Sula. Kënga e veshi atë me pavdekësi. Dhe jo vetëm kënga e tij. Artisti më në zë i Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, Arif Vladi do t’i këndonte mikut të tij, artistit që ish-Presidenti Bamir Topi do ta vlerësonte me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa ish-Presidenti Meta, me dekret nr.11715, date 17.09.2020, do ta dekoronte Qerim Sulën me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për kontributin e shquar në artin e kulturën popullore shqiptare, si dhe talentin mjeshtëror në interpretimin e këngëve të përpunuara, atyre folklorike, veçanërisht motiveve të trevës së Dibrës”. Me këngën e tij, Qerim Sula u ka lënë gjurmë folklorike brezave. Ai ka përcjellë dhe përcjell nëpërmjet këngës imazhe trimërore që ndikojnë për edukimin atdhetar të brezave në vijimësi.

NË GJURMËT E ARTISTËVE

Qerim Sula lindi në 12 prill 1951 në Zall-Dardhë të Dibrës, në këtë krahinë që njihet si djep i artit dhe kulturës. Këtu mori formimin bazë, duke kryer shkëlqyer 8 – vjeçaren, për ta vazhduar të mesmen në shkollën mekanike të Peshkopisë. Kushëriri i tij nga nëna, Muharrem Gjoka, Mjeshtër i Madh, “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër dhe Presidenti i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, tregon se që në moshën 12 vjeç, Qerim Sula ka performuar suksesshëm me këngën folklorike dibrane në skenën e Shtëpisë së Kulturës Zall-Dardhë për të vijuar ndër vite dhe në skena të tjera, në Peshkopi e rrethe të ndryshme të vendit. “Në gjurmët e artistëve më në zë të Dardhës, Muharrem Xhediku e Hazis Ndreu, Qerim Sula, si askush tjetër, me talent të rrallë arriti të përvetësoje dhe interpretojë mjeshtërisht folklorin dibran e atë mbarëkombëtar, mbështetur në rrënjët popullore e kombëtare. Madje, përvetësimi dhe interpretimi me ndjenjë i këngës epike dibrane do të ishte faktori bazë i formimit të tij artistik”, pohon Muharrem Gjoka. Edhe pse kishte mbaruar shkollën mekanike, Ai ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për këngën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zall Dardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.

Një vit më pas, më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000. Kështu ai do të evidentohej si këngëtar me talent të rrallë, talent që do ta shfaqte, jo vetëm në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” dhe të Estradës Profesioniste Peshkopi, por veçanërisht në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, si edhe në finalen e tij përpara udhëheqësve partiakë e shtetërorë të kohës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj. Ka punuar me shumë artistë, por mund të veçojmë Liri Rashën, me të cilën ka qenë në Estradën profesioniste të Peshkopisë, me Arif Vladin një artist i kompletuar, Vera Laçi një këngëtare shumë me vlerë, me Sherif Dervishin, me të madhin Haziz Ndreu, i cili ishte profesori i tyre. Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kuksi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së Veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane, mjaftë të preferuara nga artdashësit, jo vetëm në Dibër e Tiranë, por kudo në hapësirën mbarëshqiptare në botë. Qerim Sula ishte dhe një bashkëshort e prind shembullor. Nga martesa me Razijen, një vajzë shembullore e familjes emërndritur Kaca nga fshati Tartaj i Zall Dardhës, krijuan një familje solide që nderohej e respektohej jo vetëm në Dardhë e Peshkopi, por edhe në Tiranë, ku jetuan familjarisht dy dekadat e fundit.

KËNGA KUSHTRIMORE

Do të mjaftonte vetëm kënga e tij kushtrimore “Na k’ndojnë pushkët nëpër kulla”, që grupe artistike, ansamble e këngëtarë të njohur, jo vetëm dibranë, por edhe kosovarë, çamë etj., ta bëjnë atë lajtmotivin e koncerteve të tyre. Dhe jo vetëm në koncerte, por edhe në dasma e promovime librash. Është kjo këngë epike, që megjithëse huazohet, askush s’e këndon si Qerim Sula, që e ka veshur atë me pavdekësi. Nuk është rastësi që mjeshtri i moderimit të veprimtarive kulturore artistike, miku i tij i ngushtë, Defrim Methasani ta ketë pjesë të skenarit, improvizimin e odës dibrane, ku rreth sofrës së mbuluar me flamurin kombëtar fton të ulen burrat për të performuar qarkullimin e kutive të duhanit dhe ngrehjen e hutave, ndërsa në sfond shfaqet gjiganti Qerim Sula me këngën “Na k’ndojnë pushkët nëpër kulla”.

Madje është kjo këngë, si i gjithë repertori i tij që na e la si testament në dy albume, që i ka motivuar studiuesit e folklorit dhe gazetarët e kulturës të gazetave e televizioneve të ndryshme, për ta pagëzuar Qerimin Sulën si: “Zëri i lavdisë shekullore dibrane”, “Mjeshtri i Madh i këngës dibrane” dhe “ikonë e këngës dibrane”. Qerim Sula lindi, u rrit dhe u burrërua me këngën që përcillte jehonën e luftërave të dibranëve për liri e pavarësi kombëtare. Ndërkohë s’i ndahej punës në profesionin e tij të nderuar të shoferit, fillimisht në ish – kooperativën Bujqësore Zall – Dardhë e Ndërmarrjen Elektrike Peshkopi dhe pasi mori patentën e klasit të dytë e të parë, në Parkun Automobilistik të Mallrave Peshkopi deri në vitin 1983. Më pas, deri në vitin 1991, ai do të ishte pjesë aktive e trupës të estradës profesioniste të Peshkopisë, duke e nderuar atë me interpretimin mjeshtëror të këngës popullore e qytetare dibrane në të gjitha shfaqjet e saj, brenda e jashtë rrethit të Dibrës.

/Gazeta Panorama



Të ndryshme
Më shumë