Me rritjen e temperaturave në Evropën Jugore dhe rifillimin e fluturimeve sezonale drejt destinacioneve me diell, ndoshta po kërkoni një alternativë për pushimet tuaja të ardhshme verore.
Revista amerikane e udhëtimeve “Travel off Path” i ka hedhur sërish sytë nga Shqipëria, duke u rekomanduar pushuesve të huaj rivierën shqiptare, si një destinacion, jashtë të zakonshmes, ku ndërthuren si sharmi historik ashtu edhe shërbimet moderne turistike dhe ndoshta plazhe të bukura me rërë të bardhë të ngjashme me Karaibet!
Revista rekomandon në një artikull të saj të fundit, pikërisht Sarandën, të cilën ua paraqet lexuesve si një qytet turistik në zhvillim e sipër. Një qytet që zë një gji në formë patkoi, Saranda është e vendosur midis kodrave të gjelbërta të Shqipërisë, në zemër të Evropës, dhe Detit Jon me ngjyrë të kaltër.
Ka shumë për të zbuluar në të gjithë Shqipërinë, por nëse është hera juaj e parë që eksploroni destinacionin me rritjen më të shpejtë në Evropën Juglindore, Saranda është ndoshta vendi ideal për të nisur itinerarin, shkruhet në artikullin e kësaj reviste.
Sipas këtij artikulli, në përgjithësi, Saranda ofron një vend pushimi veror evropian krejtësisht të përballueshëm.
Por, Ksamili sipas “Travel of Path”, është destinacioni më i rekomanduar, një fshat bregdetar i krahasuar me Maldivet, që po shndërrohet ngadalë në një destinacion turistik.
Ndryshe nga shumica e plazheve në bregdetin Jon, Ksamili është i mbushur me rërë të butë dhe të bardhë, dhe i kombinuar me ujërat kristal, vilat luksoze dhe skelat piktoreske prej druri që shtrihen drejt ishujve të gjelbër në distance, duke ofruar një pamje “tropikale”.
Përveç vijës bregdetare të mrekullueshme, Saranda është e njohur për rolin e saj si një portë hyrëse në një nga rajonet më të ngarkuara, historikisht, të pellgut të Mesdheut.
Butrinti apo Kalaja e Lëkurësit gjithashtu u rekomandohen pushuesve të huaj, si vendet perfekte për pushime në Sarandë.
Klan News