TV LIVE
Nga Rajoni
23 May 2025
Kosova në ngërç politikë – Kallasi takoi dje liderët e partive opozitare, krejt çka u fol

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas dje erdhi për vizitë në Kosovë.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, ajo mbajti një konferencë të shkurtër për media.

Në konferencë, ajo kërkoi nga partitë politike që sa më shpejtë të themelojnë institucionet e reja.

“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.

Ajo foli edhe për masat e BE-së, ku theksoi se BE-ja ka filluar në mënyrë graduale largimin e tyre por duhet që mos të ketë përshkallëzim të situatës në veri të vendit.

Pas konferencës, Kallas takoi një nga një të tre liderët e opozitës.

Fillimisht, ajo zhvilloi takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Ky i fundit me anë të një postimi në Facebook foli për takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së. Ai tha se njoftoi se PDK është e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike.

“Sonte, pata kënaqësinë ta takoj znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, gjatë vizitës së saj në Kosovë. Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit evropian. Znj. Kallas e njoftova se PDK ka dhënë dhe mbetet gjithmonë e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike, si dhe në mbrojtjen e interesit qytetar dhe shtetëror.”

“Në takim kërkova edhe angazhimin e saj për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si një shenjë konkrete për të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe për avancimin e marrëdhënieve Kosovë – BE. PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të znj. Kallas për vendin tonë.”, shkroi Krasniqi.

Pas tij, me Kallas-in u takua edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili në takim ia shpalosi idenë për qeveri gjithëpërfshirëse.

“Sot, takova Përfaqësuesen e Lartë, zv.presidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Prishtinë. I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret.”

“E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot. Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës.”, tha i pari i LDK-së në postimin e tij në Facebook.

Në fund, Kallas takoi edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili theksoi nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Sot pata nderin të takoj Përfaqësuesen e Lartë, zv. Presidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas. Gjatë takimit, çmova lart rolin e saj dhe angazhimin e BE-së për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajon.”

“Theksova nevojën urgjente për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe njëkohësisht nënvizova rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga Bashkimi Evropian në rrugëtimin tonë dejt integrimit.”, shkroi Haradinaj.

Sot vKallas pritet të zhvilloi takime të tjera. Vizita në Kosovë është pjesë e turit të saj në disa vende të Ballkanit Perëndimor.



Të ndryshme
Më shumë