Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ka paraqitur imazhe dhe materiale të rreme gjatë takimit me homologun e tij jugafrikan në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
Reuters ka shkruar se videomateriali që pretendonte për gjenocid ndaj “të bardhëve” në Afrikën e Jugut, në fakt ishte xhirim i realizuar në Republikën Demokratike të Kongos.
“Këta të gjithë janë fermerë të bardhë të cilët po varrosen”, pati thënë presidenti amerikan teksa shfletonte disa kopje të shtypura nga një artikull gjatë takimit të tensionuar në Zyrën Ovale me presidentin jugafrikan, Cyril Ramaphosa.
Në fakt, videoja e njëjtë është publikuar dhe verifikuar nga ekipi i Reutersit më datë 3 shkurt, ndërsa në të shfaqen punonjës humanitarë që tërheqin disa trupa të pajetë në qytetin kongolez të Gomas.
Pamjet në fjalë ishin xhiruar pas betejave vdekjeprurëse me rebelët M23 të mbështetur nga Ruanda.
Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende kërkesës për koment.
Ramaphosa vizitoi Washingtonin këtë javë në përpjekje e sipër për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas kritikave të vazhdueshme nga administrata e Trumpit në muajt e fundit, lidhur me ligjet për tokën në Afrikën e Jugut, politikën e jashtme dhe trajtimin diskriminues ndaj pakicës së bardhë, gjë që mohohet nga autoritetet e Afrikës së Jugut.
Trumpi ndërpreu shkurtimisht takimin me Ramaphosan për të shfaqur një video, për të cilën aludonte se përmbante prova të “gjenocidit ndaj fermerëve të bardhë” në Afrikën e Jugut.
Më pastaj, presidenti amerikan vazhdoi të shfletonte kopje të shtypura artikujsh që, sipas tij, përshkruanin vrasje të fermerëve të bardhë, tek përsëriste frazat “vdekje, vdekje, vdekje, vdekje e tmerrshme”.