Lev Nikolajeviç Tolstoi u bë shkrimtar universal, të cilit Rusia s’kishte fuqi t’i bënte ndonjë të keqe, por kisha e mallkonte vit për vit si heretik e mohues të fesë ortodokse.
Ai ishte, novelist, eseist, dramaturg dhe filozof. Rrjedh nga familja aristokrate e Tolstojve. Njihet për dy veprat kryesore “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”. Nëna e tij Maria Nikollajevna Vollkonskaja vdiq kur Tolstoi i mbushi 2 vjet. I ati Kont Nikolla Iliç Tolstoi vdiq kur shkrimtari i ardhshëm ende nuk i kishte mbushur 9 vjet. Kështu ai mbeti nën mbikëqyrjen e tezes së tij Tatiana Aleksandra Ergolska. Rininë e kaloi në vendlindje ku edhe qe edukuar. Më 1844 hyri në Universitetin e Kazanit dhe në vitin 1847 ende pa mbaruar studimet u kthye në vendlindje për shkak të pakënaqësisë ndaj regjimit të atëhershëm universitar carist.
Me 1854 u transferua në Krime ku mori pjesë aktive dhe tregoi trimëri të rrallë në mbrojtjen e Sevastopolit. Heroizmi dhe vetëmohimi i ushtarëve rus në këto luftime të përgjakshme i bëjnë përshtypje autorit prandaj shënon në ditarin e tij, “Forca morale e popullit rus është e madhe, vrulli i zjarrtë i luftëtarëve nuk përshkruhet në asnjë mënyrë për asnjë gjë, as në Greqinë e vjetër, madje as në Trojë nuk kishte kaq shumë heroizma si luftëtarët e populli rus”.
Pas kësaj ai bën një udhëtim jashtë shtetit në vende si Franca, Gjermania, Italia, Zvicra, ku kalon 6 muaj dhe pas kthimit fillon punën e tij si mësonjës i popullit të Jasnaja Polianës. Në një udhëtim të dytë, i cili zgjati për më shumë se 9 muaj ai vizitoi përsëri Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën dhe Anglinë ku në Londër takohet me Hercenin një nga idolet e tij, e të cilin e çmonte shumë si shkrimtar dhe mendimtar. Pas kthimit të tij në atdhe ai fillon me një zell të madh punën për krijim e shkollës Jasnaja Poliana. Po me ketë emër ai fillon të botojë një revistë pedagogjike me artikuj të ndryshëm, por idetë e tij mbi edukimin e lirë dhe aktivitetin që zhvillonte ngjallën dyshime të forta tek autoritetet cariste. Në korrik të vitit 1862 me urdhër të Petersburgut dhe në mungesë të tij u bë një kontroll i imtë prej dy ditësh në Jasnaja Poliana nga organet qeveritare. Leo Tolstoi i zemëruar nga ky veprim i qeverisë, i shkruan letër Aleksandrit II duke kërkuar dënimin e fajtorëve.
Me 1862 Leo martohet me të bijën e një mjeku, Sofia Andrenjeva Bers. Jeta e lumtur familjare në vitet e para të martesës ia qetëson shpirtin dhe fillon përsëri të merret me pasionin e tij: Krijimtarinë letrare. Më 1863 mbaron novelën “Kozakët” që e kishte filluar shumë kohë më parë dhe po në ketë vit boton novelën tjetër me titull “Polikushka”. Duke qenë në një gjendje të tillë lulëzimi të forcave të tij ai fillon me 1864 punën e madhe dhe të gjatë të shkrimit të veprës së madhe “Lufta dhe paqja”, e të cilën e përfundon në vitin 1869. Pas kësaj vepre ai mendon për krijim e një vepre historike, por shpejt ndërron mendimin dhe më 1873 fillon punën për shkrimin e veprës monumentale “Ana Karenina” të cilën e përfundon në vitin 1877. Pas mbarimit të këtij libri atë e kap një krizë e thellë shpirtërore gjë që vërehet edhe në veprat e tij të shkruara më vonë.
Me një forcë shumë të madhe i vihet kundër fisnikërisë me të gjitha mënyrat, veçse ai nuk predikon luftën kundër institucioneve, por preferon mënyra paqësore. Nën influencën e ideve të kohës ai heq dorë nga këto shkrime dhe fillon të shkruajë vepra filozofiko-morale. Disa nga ato vepra janë “Zotëria dhe punëtori”, “Ringjallja”, “Haxhi Murati” etj. Pas vitit 1909 në ditarin personal të Tolstoit shihen gjithnjë e më shpesh shënimet në të cilat shpreh qëllimin për t’u larguar nga familja me pretekstin e mosmarrëveshjeve me gruan e tij. Më në fund në mëngjesin e 28 tetorit te vitit 1910 largohet fshehurazi nga Jasna Poliana dhe pas disa ditësh më 7 nëntor 1910 vdes në një stacion të vogël hekurudhor të Astrapovos.
Varrimi i tij, sipas amanetit, bëhet në një pyll afër Jasna Polianës, pa lejen e kishës zyrtare. Vdekja e Tolstoit pa dyshim që pikëlloi jo vetëm bashkëmendimtarët, por mbarë botën e kulturuar. Deputetët social-demokratë të Dumes së III në një telegram dërguar mikut të tij V. Tcertkovit shfaqin pikëllimin e punonjësve me këto fjalë: “Fraksioni Social-Demokrat i Dumes interpret i ndjenjave të proletariatit rus dhe të gjithë proletariatit ndërkombëtarë shpreh dhembjen e tij të thellë për vdekjen e artistit gjenial, luftëtarit të paepur kundër kishës zyrtare, armikut të arbitraritetit dhe të shtypjes që ka ngritur zërin e tij me forcë kundër dënimit me vdekje, mikut të të persekutuarve.” Edhe sa ishte gjallë Leon Tolstoi, fama e tij doli edhe jashtë kufijve rus.
Ai i tregoi regjimit carist dhe të gjithë dinastisë së atij regjimi, se si duhet ndërtuar jeta. Leo me forcën e tij dridhi fronin e Nikollës II, por Nikolla II kurrë nuk arriti t’ia dridhte fronin mbretëror Leon Nikolajevic Tolstoit; fron moral, te cilin ia dhuruan lexuesit e tij. Vepra e tij e parë ishte përkthimi “Një udhëtim sentimental në Francë dhe Itali”. Më 1851 ai shkroi një histori të shkurtër me titull “Historia e të djeshmes” si dhe një varg veprash të tjera./Gazeta Panorama