"Ndoshta njerëzit dhe nuk takohen fare dhe marrëdhënien e jetojnë vetëm virtuale dhe ky është një element shumë i rëndësishëm që ndryshon nga mënyra se si ne e kemi përjetuar dashurinë"
Eftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Zhaklin Lekatari, për të folur më shumë mbi Gjeneratën Z, si dhe dashurinë sipas tyre. Nga ndryshon Gjenerata Z nga ajo Millenium?
Pjesë nga intervista:
Si përjeton sot dashurinë gjenerata Z, në ndryshim me gjeneratat e tjera dikur?
Gjenerata Z, mendoj se është më e lidhur me teknologjinë, një element që gjenerata ime nuk e ka pasur. Kur unë kam qenë në të 20-at e mia, ose pak më tutje, interneti u popullarizua dhe u bë universal edhe në pjesën e Evropës, sigurisht pastaj edhe në Shqipëri. Kështu që, mënyra se si ne njiheshim me njëri-tjetrin apo krijonim kontaktet e para, ishte analogjike, ose fizike. Pra, nuk ndodhte me ‘like’, me ‘seen’, me ‘Story’, me ‘tags’. Sot është një mënyrë tjetër e të përjetuarit dhe njohjes së dashurisë. Dhe ndonjëherë kjo marrëdhënie as nuk zhvillohet jashtë në jetën e vërtetë, në botën reale, sepse çdo gjë zhvillohet nëpërmjet komunikimit virtual. Pra, njohja, përjetimi i marrëdhënies dhe në fund zhgënjimi dhe ndarja. Ndoshta njerëzit dhe nuk takohen fare dhe marrëdhënien e jetojnë vetëm virtuale dhe ky është një element shumë i rëndësishëm që ndryshon nga mënyra se si ne e kemi përjetuar dashurinë.
A është i shëndetshëm si element?
Varet. Çfarë është e shëndetshme? Është e shëndetshme që të rrinë bashkë 40 vjet, apo është e shëndetshme ajo që na bën të ndihemi mirë?
Thuhet që ky brez nuk e kupton se çfarë e bën që të ndihet mirë…
Jo, unë mendoj se ky brez është shumë i vetëdijshëm, sidomos për sa i përket shëndetit mendor, fenomeneve sociale, ndryshimeve sociale.
Por është një brez që po përballet me shumë sfida të shëndetit mendor.
Po, por është një brez që di t’i emërojë problematikat e shëndetit mendor, ndryshe nga ne. Dhe mendoj që akti i parë i rezistencës, i rebelimit dhe forcës, është pikërisht emërimi i një situate ose të dhunshme, ose jo të rehatshme, ose jo komode, ose jo sociale. Kështu që mua më pëlqen fakti që flasin për shëndetin mendor, flasin për ‘red flags’, flasin për ‘gaslighting’. Janë të gjitha koncepte të reja, me terminologji të re, që na tregojnë copëza të ndryshme, apo stade të ndryshme të marrëdhënies sentimentale, por dhe të marrëdhënies shoqërore. Një element tjetër që mua më pëlqen jashtëzakonisht, është dhe nxjerrja në pah e marrëdhënieve me prindin. Gjenerata ime ka pasur një heshtje shumë të madhe dhe ishte e pamundur që ti të kritikoje mënyrën se si është prindëruar, apo marrëdhënien që ti kishe me prindin. Gjenerata Z e ka shkelur këtë kufi dhe ka kaluar tutje këtë vijë të kuqe që ne kishim vendosur, duke folur për marrëdhënien me prindërit, duke biseduar se sa mungesë komunikimi ka kjo gjeneratë me prindërit e vet, 40 apo 50-vjeçarët e sotëm që kanë lindur në komunizëm, por rininë e tyre e kanë kaluar në demokraci në fillim të viteve ’90. Kështu që të gjitha këto elementë të gjeneratës Z mua më pëlqejnë. /TAR/