Kryeministri Mickoski, në paraqitjen e tij të fundit publike, sërish u përfshi në një retorikë të rrezikshme ndarjeje dhe diskriminimi, kësaj radhe e drejtuar ndaj shqiptarëve.
Në momente kur po humbet mbështetjen edhe nga aleatët e tij më të afërt, ai përsëri po përpiqet të përcaktojë se kush është shqiptar “i pranueshëm” dhe kush jo – një praktikë që historikisht kujton ditët më të errëta të viteve ’90, kur kjo politikë promovohej nga Millosheviqi.
Në vend që të përqendrohet në reformat që i premtoi, në afrimin drejt BE-së, stabilitetin ekonomik dhe respektimin e ekuilibrit etnik, Mickoski vazhdon me një agjendë nacionaliste që synon të krijojë shqiptarë të nënshtruar – të bindur, të heshtur dhe dekorativë.
Kjo është një përpjekje e qartë për të rikthyer kohën kur të tjerët vendosnin në emër të shqiptarëve, e ata trajtoheshin si numra statistikorë dhe jo si qytetarë të barabartë.
BDI paralajmëron publikisht se kjo retorikë jo vetëm që është e rrezikshme, por tashmë po prodhon efektin e kundërt: ajo po i bashkon shqiptarët, duke afruar edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë rreth një qëllimi të përbashkët – mbrojtjen e dinjitetit, autonomisë politike dhe të ardhmes së komunitetit shqiptar në shtet.
Mbetjet e VLEN-it, që ende qëndrojnë në pozita falë Mickoskit, duhet të pyesin veten nëse duan të jenë bashkëpunëtorë në një politikë ndarjeje dhe nënçmimi. Në vend që të shijojnë komoditetin e kolltukëve qeveritarë, është koha të dalin mes qytetarëve dhe të dëgjojnë zërin e tyre. Zërin që po bëhet çdo ditë e më i fortë: mjaft më me poshtërim!
Nëse nuk mund ta dëgjojnë tani zërin e shqiptarëve, do ta dëgjojnë në zgjedhjet e ardhshme – cilado qofshin ato.