TV LIVE
Nga Vendi
17 May 2025
Mexhiti: Dikasteret në Qeveri që udhëhiqeshin nga ASH-Taravari, do të mbeten në VLEN

Katër deputetë nga Fronti Evropian do t’i bashkohen shumicës parlamentare, njoftoi zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti në një intervistë për Alsat.

“VLEN nuk do të mbetet me nëntë deputetë, as Fronti Europian me ata që i ka. Lëvizjet kanë filluar dhe mendoj se në ditët në vijim, veçanërisht javën tjetër, do të shihet se situata nuk është e tillë. Bisedimet nuk kanë mbaruar, ato janë në fazën përfundimtare, por unë konfirmoj se ka një numër që tashmë e kanë lënë Frontin dhe mbështesin shumicën”, tha Mexhiti, duke theksuar se bëhet fjalë për katër deputetë të Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI-ja.

Ai konfirmoi gjithashtu se të gjitha dikasteret në Qeveri të udhëhequra nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit do të mbeten në VLEN.

“Ajo që është pushtet dhe që i përket VLEN-it, mbetet në VLEN. Tani, kush do të jetë pjesë e VLEN-it në të ardhmen – individë, subjekte të tjera – kjo është një çështje që po e diskutojmë dhe debatojmë, por këtë pushtet e drejton VLEN. Derisa të vendosim për rrethana të tjera për shkëmbimin e dikastereve, por tani për tani kjo temë është e mbyllur”, shtoi Mexhiti.

Sipas tij, shumica e ASH-së nuk pajtohet me largimin e Taravarit nga Qeveria. Lidhur me zëvendëskryeministrin përgjegjës për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të mbetet në Qeveri, Mexhiti tha se është në komunikim me të.

“Mendoj se gjatë kësaj periudhe ai ka bërë një punë të mirë si zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë. Së bashku kontribuam në çështje të rëndësishme, në aspektin etnik dhe mendoj se Qeveria ka nevojë për këtë. Shpresoj që ai të qëndrojë”, theksoi Mexhiti.

Në zgjedhjet lokale, njoftoi se përveç kandidatëve partiakë, do të mbështesin edhe kandidatë të pavarur.

“Lajmi i mirë për këto zgjedhje është se VLEN do të dalë nga ngjyrat e partisë, do të dalë edhe jashtë VLEN-it. Nëse kandidaturat janë më të mira në ndonjë komunë, do t’i mbështesim kandidatët e pavarur në komunat e mëdha urbane, ndërsa njëra prej tyre do të jetë Gostivari”, tha Mexhiti.



Të ndryshme
Më shumë