TV LIVE
Nga Bota
17 May 2025
Sulmi rus vret nëntë persona në një minibus në Sumi, thotë Ukraina

Një sulm rus goditi një minibus që po transportonte civilë në rajonin Sumi të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë, duke vrarë nëntë persona dhe plagosur katër të tjerë, thanë autoritetet ukrainase.

Sulmi i 17 majit ndodhi një ditë pas bisedimeve të para direkte për paqe pas më shumë se tre vjetësh. Bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim, me Kievin që akuzoi Moskën për kërkesa “të papranueshme”.

Rusia ka refuzuar thirrjet nga Ukraina, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara për një armëpushim 30-ditor në luftën që tashmë është në vitin e katërt që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Sulmi i sotshëm në Sumi u krye me një dron, tha administrata ushtarake rajonale.

Policia Kombëtare e Ukrainës akuzoi forcat ruse se qëllimshëm shënjestruan minibusin. Ai u godit pranë qytetit Bilopillya, jo larg kufirit me Rusinë.

Imazhet e postuara nga Policia Kombëtare në Telegram shfaqin një minibus të llojit Mercedes të shkatërruar dhe mbetje të shpërndara në dy anët e rrugës.

Ende nuk ka pasur ndonjë koment nga Rusia, e cila pretendon se nuk synon civilët, pavarësisht dëshmive të shumta që sinjalizojnë të kundërtn. Rajoni i Sumit është vend i sulmeve të shpeshta ruse.

Pas bisedimeve të shkurtra dhe pa përfundime mes delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll më 16 maj, presidenti amerikan,Donald Trump, tha se një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, është i nevojshëm për të bërë përparim drejt përfundimit të konfliktit më të gjatë të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Duhet të ulemi bashkë”, tha Trump në një intervistë për Fox News. Ai tha se ishte optimist për bashkëpunimin me Putinin, por ishte gjithashtu i gatshëm të ushtrojë presion mbi Rusinë nëse është e nevojshme.

“Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje me Putinin… [Unë] do të përdor levën kundër Putinit nëse do të duhet,” tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 16 maj se një takim Trump-Putin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën dhe çështje të tjera është “sigurisht i nevojshëm”, por do të kërkonte kohë për t’u përgatitur dhe nuk duhet të mbahet nëse nuk sjell rezultate.

Në bisedimet në Stamboll, të cilat zgjatën rreth 90 minuta, negociatorët ranë dakord të shkëmbenin 1.000 të burgosur nga secila palë në një të ardhme të afërt, thanë drejtuesit e të dy delegacioneve. Ky do të ishte shkëmbimi më i madh i vetëm që nga fillimi i pushtimit të plotë.

Por, nuk pati asnjë tregues se hendeku i madh mes Rusisë dhe Ukrainës për çështje si territori dhe armëpushimi ishte ngushtuar. /rel



Të ndryshme
Më shumë