Një 21-vjeçar është arrestuar në Londrën Veriore pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në banesën private të kryeministrit britanik, Keir Starmer. Policia Metropolitane bëri të ditur se ngjarja po hetohet si zjarrvënie me qëllim rrezikimi të jetës së njerëzve.
I riu u ndalua në orët e para të mëngjesit dhe ndodhet aktualisht në paraburgim. Ai është i dyshuar për përfshirje në tre incidente zjarri gjatë javës së fundit në zona të ndryshme të veriut të Londrës përfshirë një automjet të djegur, një zjarr pranë një ndërtese dhe atë në banesën e Starmer në Kentish Town.
Pasi një prej rasteve ka ndodhur në pronën e një figure publike të lartë, hetimet janë marrë përsipër nga Njësia kundër terrorizmit. Autoritetet theksuan se ngjarjet po trajtohen si “të dyshimta” dhe se hetimet janë në vijim.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por hyrja e banesës është dëmtuar nga flakët. Një banor i lagjes deklaroi se dëgjoi një zhurmë që i ngjante shpërthimit të një koktej molotovi.