TV LIVE
Kuriozitete
13 May 2025
“Giro d’Italia në Tiranë”, piktori Lekë Tasi tregon si e krijoi tablonë!

‘Giro d’Italia’ erdhi për herë të parë në Shqipëri përgjatë tre ditëve jo si një garë sportive, por një dritare e madhe ku bota pa bukuritë natyre të Shqipërisë dhe mikpritjen e shqiptarëve.

 

Tri etapa magjepsëse Durrësi, Tirana dhe Vlora ishin mikpritëset e kësaj sfide spektakolare, ku 180 çiklistë profesionistë, ndër kampionët më të mëdhenj të botës, garuan në rrugët tona, nën ritmin e adrenalinës dhe bukurisë shqiptare. Në koleksionin e tij fotografik, Lekë Tasi ka dhe një tablo, e bërë diku rreth vitit 2020, të titulluar “Giro d Italia në Tiranë”.

Piktori i njohur tregon për gazeta “Panorama” se si u krijua kjo tablo dhe si i ndiqnin shumë vite më parë përmes radios etapat e kampionëve të lavdishëm si Coppi Bartaligli Astrua etj. “Ndër mendimet e mija rreth pikturës përfshiheshin anakronizma, hiper realizma, metafizika, dhe kushtet e atëhershme të kufizimit maksimal, preferencën do ta kishin ato ide që shkelnin sa më fort disiplinën e imponuar, d.m.th. ato ide që do të vlenin brenda mureve sot për sot dhe do të kishin liri vetëm në të ardhmen. Nga kjo dëshirë ka lindur tabloja “Giro d’Italia në Tiranë”.

Duket aty majtas Banka e Shqipërisë, një numër çiklistësh të nemitur për faktin që nuk kanë ku shohin senjalacionet se ku duhet të vazhdojnë garën, njeri prej tyre u tregon me krahun lart Gadishullin Apenin si një re në qiell. Dhe në sfond Lidhjen e Shkrimtarëve dhe mbrapa saj hotel “Internacionalin”. Ja që sot vjen me të vërtetë realisht Xhiroja e famshme me tri etapa në bregun tonë të Adriatikut e Jonit! Dhe unë kërkoj në fotografitë e 20 vjet më parë dhe gjej këtë foto të harruar. Edhe ne këtej, përkëtej ‘perdes së hekurt’ dëgjonim në radio etapat e kampionëve të lavdishëm Coppi Bartaligli Astrua etj.”, shprehet piktori 96 vjeçar. Lekë Tasi u lind më 1929. Studioi violonçel nën drejtimin e pedagogut Walter Caletti, në vitet 1939 – 1943, më pas me Ymer Skënderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952.

Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, kishte qenë anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Pas Revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Xhaxhai Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e luftës. Vdiq në burgjet e diktaturës. Leka u pushua nga puna dhe u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009.

Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Me kthimin e tij, pas internimit, në Tiranë më 1990, ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve; një ekspozitë personale në Pejë, “Galeria Exit”, 2005, si dhe disa ekspozita kolektive në Tiranë dhe Durrës. Për të vizatimi është një dialog intim me veten, por është edhe një dëshmi, që në Shqipëri për arsye historike edhe kulturore ka munguar. Dëshira e Lekë Tasit është që brezat e rinj artistë të përvetësojnë elementë të rinj art, në pikturë, letërsi edhe muzikë. Piktori Lekë sot e ndan kohën mes pikturës, shkrimeve në kompjuter, librave dhe artikujve. Muzikant e piktor, Leke Tasi sot 96 vjeçar, mbetet një figurë emblematike për kulturën shqiptare dhe dëshmitar epokash e mbijetese.

/Gazeta Panorama



Të ndryshme
Më shumë