Shqipëria ndodhet sot në ditën e heshtjes zgjedhore, në pritje të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të zhvillohen të dielën.
Në garë janë 11 parti politike dhe koalicione, që synojnë 140 vendet në Kuvend. Secila forcë politike ka paraqitur nga 168 kandidatë, ku 46 prej tyre janë pjesë e listës së mbyllur, që nuk mund të preket nga preferencat e votuesve.
Më shumë se 3.7 milion shtetas shqiptarë janë me të drejtë vote, përfshirë për herë të parë edhe diasporën, e cila i është bashkuar procesit përmes mekanizmave të posaçëm të votimit jashtë vendit.
Në përputhje me nenin 174 të Kodit Zgjedhor, fushata është mbyllur, ndërsa një ditë para zgjedhjeve ndalohet zhvillimi i aktiviteteve politike apo publikimi i materialeve zgjedhore në media. Qetësia zgjedhore është kusht për integritetin e votës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë të gjitha materialet në të 12 qarqet, ndërsa mbi 5 mijë qendra votimi janë gati për procesin e së dielës. Zgjedhjet do të monitorohen nga misioni i OSBE-ODIHR, ambasadat dhe faktori ndërkombëtar.
Fushata është mbyllur me përballje të forta politike: Edi Rama kërkon mandatin e katërt, demokratët synojnë rikthimin në pushtet pas më shumë se një dekade, ndërsa Ilir Meta e zhvillon garën nga qelia, ku ndodhet i ndaluar me urdhër të SPAK.
Në orët e mbetura, institucionet bëjnë thirrje për pjesëmarrje dhe qetësi, ndërsa sytë janë nga dita e votimit që pritet të jetë vendimtare për drejtimin e vendit në katër vitet e ardhshme.
Klan News