TV LIVE
Sport
6 May 2025
Nga ëndrra me Messin, te statuja në Manchester/ Rrëfimi i Agueros: Tifozët më trajtuan sikur të isha Leo

I konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij, Sergio Agüero ka bërë një rrëfim të sinqertë për karrierën e tij në një intervistë për ‘The Guardian’, duke ndalur veçanërisht te përvoja e shkurtër te Barcelona, aty ku i dha fund futbollit pas vetëm pesë ndeshjesh, për shkak të një aritmie kardiake.

“Do të kishte qenë spektakolare: mundësia për të shkuar në Botëror me Messin, në formë të madhe dhe bashkë”, kujton ish-sulmuesi argjentinas, që u detyrua të tërhiqej nga futbolli në dhjetor të vitit 2021.

Me stilin e tij të zakonshëm plot humor, Aguero kujton momentet pas tërheqjes:

“Në fakt, nuk mora as pension. Nuk isha i shëndoshë... isha një fuçi,” – tha mes të qeshurash.

Megjithatë, nga eksperienca në Barcelonë, Agüero mban në zemër dashurinë e tifozëve:

“Goli im i fundit ishte ndaj Real Madridit, që nuk është keq. Dhe çfarë mora nga Barça? Dashurinë e njerëzve. Ishin kaq të mirë me mua, më trajtuan sikur isha Messi. U thashë: ‘Shikoni, unë nuk jam Leo.’”

Në intervistë, “Kun” ndalet edhe te marrëdhënia me të atin – shpesh e ftohtë, por me domethënie të thellë:

“Kur u rrita, e pyeta pse nuk më kishte thënë kurrë që luaja mirë. M’u përgjigj: ‘Nuk doja të të rritej mendja.’ Ishte gjithmonë i zemëruar me mua pas ndeshjeve. Nuk donte as që të tjerët të më lavdëronin. Donte të kontrollonte edhe miqtë e mi.”

Dhe kur më në fund e mori një fjalë të mirë prej tij?

“I thashë: ‘Prite që të tërhiqesha për të më thënë këtë?’ U ndjeva njëkohësisht i lumtur dhe i trishtuar.”

Rrëfimi nuk mund të linte jashtë eksperiencën më të gjatë e më të suksesshme: 10 vite me Manchester Cityn, ku Agüero u bë legjendë.

“Nuk dija anglisht kur shkova. Pablo Zabaleta më ndihmoi shumë. Ishin edhe David Silva, Yaya Touré, Tevez... Kur u ula për herë të parë në tavolinën e anglezëve, thashë: ‘M…’. Më thoshin: ‘Hajde, ulu!’ Pak nga pak, pa laps, pa mësues, fillova të kuptoja. Anglezet ishin shumë të mirë me mua. Më trajtuan mirë, më mbronin.”

Në fund, me krenari flet për statujën e ngritur në ‘Etihad Stadium’ në nder të tij:

“Kam miq që shkojnë në stadium dhe më dërgojnë foto. Mendoj: ‘Kjo është çmenduri’. Do të qëndrojë aty përgjithmonë.



Të ndryshme
Më shumë