Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është zgjedhja e Taravarit dhe bashkëpartiakëve të tij se me kë duan të shkojnë, por siç tha, pavarësisht vendimit të tyre, qeveria është stabile, e fortë me shumicë të madhe. Micksoki tha se askënd në jetë nuk e ka lutur dhe as tani nuk do ta bëjë.
“Si njeri kam mendim pozitiv për z.Taravarin, por në politikë fytyra është diçka që e ke ose nuk e ke. Këtu nuk ka variante fluide, ose ke, ose nuk ke, ose e mban fjalën ose nuk e mban fjalën. Unë mendoj se në rastin e tij, së paku 3 herë kam treguar dhe e kam mbajtur fjalën dhe kur ka pasur momente kur ka pasur edhe dilema në suaza të udhëheqësisë së partisë. Për këtë, lojërat e fshehta, janë lojëra të dukshme, identifikohen dhe njihen lehtë dhe më së shpeshti, lojërat e këtilla të fshehta, përplasen për kokën e atyre që i bëjnë këto lojëra të fshehta. Kuptohet, askënd në jetë nuk e kam lutur dhe nuk do ta lus. Me apo pa zotëri Taravarin Qeveria është stabile, e fortë me shumicë të madhe. Mbetet te ai dhe te bashkëpartiakët e tij të vendosin a do të shkojmë bashkë në rrugën e reformave, sundimi i së drejtës, luftë për shoqëri të drejtë, institucione të cilat do të funksionojnë, apo do të koalicionojnë me ato forca politike të cilat me vite dhe dekada e kriminalizuan dhe e shkatërruan shtetin. Zgjedhja është e tyre”, tha Mickoski.