Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje emigrantëve në Greqi që të marrin zarfet në postë dhe të shprehin vullnetin e tyre për zgjedhjet e 11 majit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama shprehet se kompania e shpërndarjes ‘ka vënë gjërat në vijë dhe zarfet janë shpërndarë në destinacionet e ndryshme’.
“Ndërhyra këtu se desha të përcjell një thirrje, një mesazh për ata që janë regjistruar si votues në Greqi që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë për të qenë votues për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Është një takim me historinë për të kyçur Shqipërinë në familjen e BE. Ka pasur një problematikë me shpërndarjen ditët e para, por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë dhe zarfet janë shpërndarë në destinacionet e ndryshme. Nga ana tjetër nëse i keni marrë zarfet veproni duke i kthyer drejt Shqipërisë me numrin pesë. Ky votim ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët që nuk kanë pasaportën dhe janë në ankthin e pensioneve.
Negociatat me Greqinë kanë nisur dhe duke u nisur nga eksperienca e marrëveshjes me Italinë mund të merret me mend sa mund të zgjasë pakti. Numrat e mëdhenj e vështirësojnë procesin”-u shpreh Rama.