TV LIVE
Nga Bota
22 April 2025
Papa Françesku: Pontifi revolucionar që ndryshoi botën dhe Kishën Katolike (por, nuk arriti ta bashkonte)

Nga: Catherine Pepinster, ish-redaktore e javores katolike The Tablet / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Papa Françesku, i cili ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, pas 12 vitesh në krye të Kishës Katolike, ishte ndoshta argjentinasi më i famshëm që ka jetuar ndonjëherë.

I lindur në vitin 1936 me emrin Jorge Mario Bergoglio, Papa Françesku gjithmonë e kishte kuptuar fuqinë e lidhjes me publikun. “Njerëzit e zakonshëm e pëlqejnë një prekje të Evitës [aktorja dhe bashkëshortja e presidentit të vendit, Eva Perón]”, pati thënë dikur në fillimet e tij si prift.

Ky perceptim i shërbeu shumë gjatë gjithë periudhës së tij si Papë dhe u vu re që nga momenti kur doli në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë – pas zgjedhjes si pontif, në mars të vitit 2013. Kardinalët, tha ai me shaka, kishin shkuar “deri në skajet e Tokës” për të gjetur një Papë, dhe pasi u kërkoi turmave të luteshin për të, iu uroi një natë të mirë dhe një gjumë të ëmbël.

“Ju bëftë mirë dreka!” – thoshte shpesh për besimtarët që mblidheshin çdo javë jashtë bazilikës për lutjen tradicionale katolike, Engjëlli i Zotit [Angelus].

Pas formaliteteve të Benediktit XVI, të cilin e pasoi, Françesku u duk si një frymë e re. Ai jetonte në një banesë të thjeshtë në vend të pallatit apostolik dhe hoqi dorë nga pelerina me lesh dhe këpucët e kuqe tradicionale. Por, papati i tij nuk kishte të bënte vetëm me stilin; kishte edhe përmbajtje.

Françesku mori në dorë një Kishë që kishte nevojë për udhëheqje për të përballuar krizat e saj: një Vatikan të akuzuar për korrupsion financiar, një skandal global mbi abuzimet seksuale ndaj fëmijëve, katolikë të zakonshëm të zhgënjyer nga ndjenja se nuk kishin zë në Kishën e tyre që ishte e shkëputur nga jeta e përditshme e njerëzve. Dhe, kishte edhe çështje të gjera për të cilat bota kishte nevojë të dëgjonte një zë me autoritet moral – qoftë për ndryshimet klimatike, për varfërinë e skajshme në vendet në zhvillim, apo për fatin e migrantëve dhe refugjatëve.

Shumica dërrmuese e katolikëve e pritën ngrohtësisht Papën e tyre, i cili artikulonte një formë më të dhembshur të besimit të tyre.

“Kush jam unë për të gjykuar”? – tha ai kur u pyet për personat homoseksualë, të cilët shpesh ishin vënë në shënjestër nga prelatët e tjerë. Më vonë, ai rekomandoi që priftërinjtë të ofronin një bekim të thjeshtë për çiftet homoseksuale. Ai qëndroi besnik ndaj mësimeve tradicionale të Kishës për martesën, por u bëri thirrje priftërinjve të lejonin që personat e shkurorëzuar dhe të martuar përsëri të merrnin Kungimin e Shenjtë. Kisha, tha ai, duhet të jetë si një spital fushor.

Por, nuk ishin vetëm njerëzit që kishin nevojë për përkujdesje. Një nga ndërhyrjet më të njohura të Papa Françeskut ishte në mënyrën se si kujdesemi për planetin tonë – atë që ai e quante “shtëpia jonë e përbashkët” në enciklikën e tij – ose në dokumentin mësimor Laudato Si, të botuar në vitin 2015, në të cilën i bënte thirrje njerëzimit të ndërmarrë veprime për të mbrojtur krijimin e Zotit përballë ndryshimeve klimatike dhe degradimit mjedisor. Ai ua jepte këtë dokument vizitorëve zyrtarë: pa dyshim, që atëherë Princi Charles [tash Mbreti Charles III] e kishte vlerësuar këtë mesazh, por lind pyetja nëse Donald Trumpi, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, e kishte hedhur atë në koshin e aeroplanit presidencial [Air Force One] gjatë kthimit për në Uashington.

As në çështjen e migracionit nuk kishte dashuri të madhe mes presidentit amerikan dhe Papës. Françesku, vetë bir emigrantësh në Argjentinë, tregoi një shqetësim të veçantë për migrantët gjatë gjithë pontifikatit të tij, duke u bërë thirrje qeverive që të tregojnë dhembshuri ndaj tyre. Ai kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë planet e Trumpit për të ndërtuar një mur kufitar mes ShBA-së dhe Meksikës, duke thënë se ishte veprim “jo i krishterë”. Ai fliste shpesh për nevojën për paqe, vizitonte zona konflikti në Afrikë dhe telefononte çdo natë priftin katolik në Gazë pas fillimit të konfliktit të fundit me Izraelin – madje, edhe kur ndodhej në spital për trajtim kundër pneumonisë.

Por, përpjekjet e tij për të sjellë paqe brenda Kishës nuk ishin gjithmonë të suksesshme. Ndalimi i meshës së vjetër në latinisht u pa si ndëshkim nga katolikët tradicionalë, ndërsa përpjekjet e tij për të përballuar skandalin e abuzimeve dështuan: disa nga ekspertët e thirrur për ndihmë, përfshirë të mbijetuarit nga abuzimet, dhanë dorëheqjen nga komisioni i tij, duke thënë se ai po bënte shumë pak dhe shumë vonë.

Gratë, të zhgënjyera nga mungesa e fuqisë dhe përfaqësimit të tyre në Kishë, mirëpritën emërimet e tij të grave – zakonisht murgesha – në poste zyrtare në Vatikan, por ndiheshin të braktisura nga mënyra se si la të zvarritej hetimi për shugurimin e grave dhjake. Dhe, Françesku ishte po aq kundërshtues ndaj priftërisë për gratë sa paraardhësit e tij papnorë.

Çfarë mund të thuhet për trashëgiminë e tij? Papa Françesku ishte një komunikues i shkëlqyer, një udhëheqës fetar që lidhej fuqishëm me shumë njerëz. Ai ishte një figurë morale madhore në skenën botërore dhe, ndonëse solli reforma në Kishë – duke i dhënë laikëve më shumë zë në vendimmarrjen në famulli dhe dioqeza – nuk arriti të shërojë ndarjet mes katolikëve liberalë dhe konservatorë. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë